Projekte

eldEARLY – Përmirësimi i sistemit të përkujdesjes ndaj të moshuarve në Shqipëri
Periudha e zbatimit : Mars 2024- Mars 2026
Shërbimi Social Shtetëror, me mbështetjen e Programit të Konvertimit të Borxhit për Zhvillim – IADSA II, po zbaton në bashkëpunim me Qendrën ASET, Regione Marche dhe Regione Liguria projektin me titull “eldEARLY – Përmirësimi i sistemit të përkujdesjes ndaj të moshuarve në Shqipëri”
Qëllimi i projektit është të përforcojë veprimet në mbështetje të të moshuarve vulnerabël, për të identifikuar në kohë situatat dhe problematikat që ata hasin dhe për të përmirësuar sistemin e mirëqenies sociale në Shqipëri. Objektivat specifike përfshijnë: zhvillimin e shërbimeve sociale inovatore për të moshuarit, krijimin e një linje telefonike këshillimi për ta dhe zhvillimin e një figure të re profesionale të operatorit social për të moshuarit përmes trajnimeve periodike ku gjithsej do të trajnohen 350 psikologë dhe operatorë socialë. Gjithashtu do të realizohet hartëzimi i qendrave sociale në vend si dhe do të krijohen mekanizma dhe protokolle të reja për kategoritë e kujdesit për të moshuarit në nivel kombëtar.
eldEARLY është në përputhje me Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2022-2024 dhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022-2030, duke synuar përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe me Strategjinë Kombëtare të Shëndetit 2021-2030, e cila ka si qëllim përmirësimin e shëndetit të popullatës shqiptare përmes një sistemi shëndetësor të integruar.
Duke u nisur nga pandemia globale që kemi përjetuar, është shumë e nevojshme të ofrohen shërbime sociale alternative dhe të gjithanshme për të gjitha kategoritë vulnerabël në vend, për të ndihmuar në shmangien e vetmisë, izolimit social dhe fizik, si dhe në promovimin e përfshirjes sociale, duke evituar kështu institucionalizimin e tyre.
Për të aksesuar hartën e shërbimeve për të moshuar klikoni linkun : https://asetcenter.al/harta/
Ngritja e linjës së këshillimit për të moshuar
Në kuadër të projektit “EldEarly – Përmirësimi i Sistemit të Kujdesit ndaj të Moshuarve në Shqipëri” është ngritur një Linjë Këshillimi falas, e cila ofron:
- Këshillim dhe mbështetje psikologjike për të moshuarit;
- Orientim dhe referim drejt shërbimeve të nevojshme shëndetësore dhe sociale.
Të gjithë të moshuarit që kanë nevojë për informacion, këshillim apo mbështetje mund të telefonojnë falas në numrin:
0800 4042
Linja e Këshillimit synon të garantojë që çdo i moshuar të ndihet i dëgjuar, i sigurt, i mbështetur dhe i përfshirë në jetën sociale.
Më poshtë gjenden dy spotet promovuese të Linjës së Këshillimit 08004042






