Mbështetur mbi Vendimin nr.288, datë 10.4.2020 “Për Përcaktimin e masës dhe të procedurës së dhënies së ndihmës së menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura dhe mënyrën e bashkëpunimit, ndërmjet institucioneve të shërbimit spitalor dhe atyre të gjendjes civile” ju informojmë si më poshtë vijon:

1. Prindi/Prindërit e foshnjës së porsalindur do të paraqiten për tërheqjen e çekut të bebes pranë Shërbimit Social Shtetëror në rastin kur lindja e fëmijës ka ndodhur në shërbimin spitalor jopublik të licensuar sipas legjislacionit në fuqi dhe në rastin kur fëmija është lindur jashtë territorit të Shqipërisë.

2. Në të dyja rastet prindi/prindërit e fëmijës duhet të paraqesin pranë Shërbimit Social Shtetëror dokumentat e mëposhtme:
a) Certifikatë e lindjes
b) Certifikatë familjare
c) Fotokopje të mjeteve të identifikimit të të dy prindërve;

Në rast së fëmijët kanë lindur në Spital Jo Publik certifikata personale dhe familjare duhet të kenë në fund shënimin “Lindje në institucion jopublik (emri i institucionit), lëshohet për efekt të përfitimit të ndihmës së menjëhershme financiare” (Bonusi).

Në rast së fëmijët kanë lindur jashtë territorit të Shqipërisë certifikata e lindjes dhe familjare duhet të kenë në fund shënimin “Lindje jashtë shtetit, nr… akti, datë…, muaj…, viti, vendin ku ka ndodhur lindja, lëshohet për efekt të përfitimit të ndihmës së menjëhershme financiare, regjistruar brenda afatit 90-ditor (Bonusi).

Në rast se deklarimi i aktit të lindjes të mbajtur jashtë vendit kryhet jashtë afatit 90- ditor, nëpunësi i gjendjes civile e pajis deklaruesin me certifikatën personale e familjare me shënimin “Lindje jashtë shtetit, nr..akti, datë…, vendin ku ka ndodhur lindja, “Për përfitim të ndihmës së menjëhershme financiare Bonus, regjistruar jashtë afatit 90-ditor, nuk përfiton çekun prej 5 000 pesë mijë lekësh). Në këto raste prindi/prindërit nuk përfitojnë pagesën prej 5 000 (pesë mijë) lekësh.

3. Tërheqja e çekut bëhet personalisht vetëm nga prindi/prindërit dhe afati është 1 vit kalendarik nga dita e lindjes së foshnjës, për foshnjat e lindura brenda ose jashtë shtetit.

VENDIM NR.288 DATË 10.04.2020 “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS DHE TË PROCEDURËS SË DHËNIES SË NDIHMËS SË MENJËHERSHME FINANCIARE PËR FOSHNJAT E PORSALINDURA DHE MËNYRËN E BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET INSTITUCIONEVE TË SHËRBIMIT SPITALOR DHE ATYRE TË GJENDJES CIVILE”