SKEMA E RE E NDIHMES EKONOMIKE

 Kush mund të përfitojë ndihmën ekonomike:

  • Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme;
  • Jetimët të cilët nuk janë në institucione;
  • Prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;
  • Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre;
  • Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
  • Fëmijë të vendosur në shërbimin e kujdestarisë

Ku aplikohet për ndihmë ekonomike?

Familjet pa të ardhura dhe me të ardhura të pamjaftueshme dhe kategoritë e tjera mund të aplikojnë për përfitimin e ndihmës ekonomike pranë njësisë vendore ku kanë vendbanimin.

Kur aplikohet për ndihmën ekonomike?

Për të përfituar ndihmë ekonomike kryefamiljari, së bashku me bashkëshorten nga data 1-10 të çdo muaji paraqiten pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashki/njësitë për të aplikuar për ndihmë ekonomike si familje në nevojë me kopjen e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti (për fëmijët çertifikata) dhe dokumente të tjera të përcaktuara në aktet nënligjore.

Si aplikohet?

Administratori, në prani të kryefamiljarit, bashkëshortes apo individëve plotëson on-line në sistem aplikimin për ndihmë ekonomike të cilët përmbledhin informacionin për: demografinë e familjes, arsimin dhe punësimin; llojin e banesës; pasuritë/asetet shtëpiake; të ardhurat nga programet e mbrojtjes sociale. Është me shumë rëndësi që informacioni të jetë i saktë, pasi në rast të kundërt penalizohen familjet për deklarim të rremë.

Verifikimi i të dhënave

Lista e familjeve aplikante verifikohet automatikisht nga sistemi elektronik me të gjitha institucionet dhe pasi përfundon ky verifikim në lidhje me saktësinë e informacionit  merret vendimi për këto familje.

Vendimi për ndihmën ekonomike

Vendimi për trajtimin me ndihmë ekonomike merret brenda muajit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror  nëpërmjet formulës së pikëzuar që përfshin parametra të lidhur me vlerësimin e situates ekonomike të familjeve, të tilla, si: kushtet e jetesës, zotërimi i pasurive, të ardhurat nga remitancat. Formula e pikëzuar merr parasysh karakteristikat e ndryshme strukturore të familjeve urbane dhe rurale.

Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social dërgon Vendimin  final së bashku me listën e familjeve fituese me masën e përfitimit dhe familjet jopërfituese me  arsyet përkatëse kryetarit të njësisë vendore për të njoftuar  të gjithë aplikantët dhe për të bërë ekzekutimin e pagesës.

Për të gjitha familjet përfituese është e detyrueshme paraqitja çdo 3 (tre) muaj tek zyra e administratorit  shoqëror i cili  plotëson deklaratën social-ekonomike  dhe e hedh në sistem si dhe  verifikon gjendjen shoqërore dhe ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë, si dhe dy herë në vit të gjitha familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike.

Mosparaqitja një herë në 3 muaj dhe moslejimi i verifikimit social –ekonomik në familje largon familjen nga skema e ndihmës ekonomike.

Ku dhe si ankimohet vendimi?

Familjet të cilat janë refuzuar se nuk kanë marrë pikët e mjaftueshme kanë të drejtën e riaplikimit në muajt pasardhës dhe gjithashtu ruajnë të drejtën e ankimimit në lidhje me vendimin e marrë.

Ankimimi bëhet  me shkrim fillimisht pranë njësisë vendore, e cila është e detyruar të kthejë përgjigje brenda 7 ditëve kalendarike nga marrja e ankesës.

Pas ezaurimit të ankimimit te njësia vendore, ka të drejtë të ankimojë  te Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror dhe në gjykatë.

Për familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, bazuar në vlerësimin social-ekonomik, të kryer nga administratori shoqëror, Këshilli Bashkiak ka të drejtë të miratojë dhënien e ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike deri në 6% dhe/ose me fonde të buxhetit vendor.

Për më shumë informacion mund të referoheni: Ligjit nr.57/2019 për Asistencën Sociale në Republikën e Shqipërisë, VKM nr.597, datë 04.09.2019 “Për përcaktimin e proçedurave, të dokumentacionit dhe të masës mujore të përfitimit të Ndihmës Ekonomike dhe përdorimit të fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për Ndihmën Ekonomike”.

 

 

PAGESA

Informacion për skemën e Ndihmës Ekonomike dhe Pagesat për Aftësinë e Kufizuar.




SHERBIME

Informacion dhe udhëzime për Rrjetin e Institucioneve të Përkujdesit Social.






REGJISTRI ELEKTRONIK KOMBETAR

Informacion për projektin pilot të modernizimit të NE në tre qarqe pilot: Tiranë, Durrës dhe Elbasan.