Publikuar më: 19/02/2026
Fondacioni Heydar Aliyev në Shtëpinë e Foshnjës “Hannah dhe Rozafa”
Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, znj. Reme Xholi, mirëpriti në Shtëpinë e Foshnjës “Hannah dhe Rozafa” Zëvendëspresidenten e Fondacionit Heydar Aliyev, znj. Leyla Aliyeva, një personalitet i njohur për angazhimin e saj të vazhdueshëm në nisma sociale, jo vetëm në Azerbajxhan, por edhe më gjerë.
Gjatë vizitës në Shtëpinë e Foshnjës “Hannah dhe Rozafa”, znj. Aliyeva u njoh nga afër me shërbimet dhe përkujdesin e ofruar për fëmijët, si dhe me sfidat dhe nevojat e përditshme të institucionit. Ajo shprehu gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në çështjet e përkujdesit ndaj fëmijëve, si edhe për të mbështetur familjet në nevojë në Shqipëri.
Vizita e saj përbën një moment të rëndësishëm për institucionin tonë, pasi reflekton vëmendjen dhe përkushtimin ndaj çështjeve që lidhen me mirëqenien e fëmijëve dhe mbështetjen e familjeve në nevojë. Fondacioni Heydar Aliyev njihet gjerësisht për kontributin e tij në zhvillimin social dhe ekonomik përmes projekteve të shumta në fusha kyçe si arsimi, shëndetësia, kultura, shkenca dhe mbrojtja e mjedisit, duke ndikuar pozitivisht në komunitete të ndryshme në mbarë botën. Kjo vizitë shënon një hap konkret drejt ndërtimit të një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe domethënës, të bazuar në vlera të përbashkëta humanizmi, solidariteti dhe përgjegjësie sociale.
Në emër të SHSSH shprehim mirënjohjen më të thellë për këtë vizitë dhe për gatishmërinë për të ndarë përgjegjësinë dhe kujdesin ndaj atyre që kanë më shumë nevojë.

