Publikuar më: 13/02/2026
Fondi Social 2026
Më datë 11 shkurt 2026 u zhvillua aktiviteti vjetor mbi shërbimet e financuara nga Fondi Social, një ngjarje që për të disatin vit radhazi konfirmon angazhimin institucional për forcimin dhe konsolidimin e sistemit të shërbimeve sociale në vend.
Drejtoresha e Përgjithshme e SHSSH-së, znj. Reme Xholi, nënshkroi marrëveshjet e bashkëpunimit me kryetarët e bashkive përfituese nga Fondi Social 2026. Nëpërmjet këtyre marrëveshjeve, harta kombëtare e shërbimeve sociale do të zgjerohet me 14 shërbime të reja, të projektuara për t’iu përgjigjur nevojave konkrete të kategorive më vulnerabël të shoqërisë, përfshirë fëmijët pa kujdes prindëror, gratë dhe vajzat e dhunuara, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, si edhe individët dhe familjet që përballen me vështirësi socio-ekonomike.
Këto ndërhyrje synojnë jo vetëm ofrimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë, por edhe fuqizimin e mekanizmave vendorë për parandalimin e përjashtimit social, rehabilitimin, integrimin dhe rritjen e cilësisë së jetës për përfituesit. Në këtë kuadër, Fondi Social përfaqëson një instrument kyç për decentralizimin e shërbimeve, duke përforcuar rolin e bashkive në identifikimin e hershëm të nevojave dhe në ndërtimin e përgjigjeve të personalizuara për komunitetet të cilëve u shërbejnë.

