Publikuar më: 08/10/2025
eldEARLY – Trajnimet për figurën e operatorit social për të moshuar

Shërbimi Social Shtetëror, me mbështetjen e Programit të Konvertimit të Borxhit për Zhvillim – IADSA II, po zbaton në bashkëpunim me Qendrën ASET, Regione Marche dhe Regione Liguria projektin “eldEARLY – Përmirësimi i sistemit të përkujdesjes ndaj të moshuarve në Shqipëri”.
Në kuadër të këtij projekti kanë nisur zyrtarisht trajnimet e akredituara falas për dy profile të reja profesionale që po prezantohen për herë të parë në Shqipëri:
- Operatori i Asistencës Shtëpiake, që do të ofrojë mbështetje të personalizuar në shtëpi për të moshuarit, duke rritur cilësinë e jetesës së tyre dhe lehtësuar barrën e kujdesit për familjarët;
- Operatori i Linjës së Këshillimit, një profil inovativ që synon të garantojë akses të menjëhershëm në informacion, këshillim dhe mbështetje emocionale për të moshuarit, përmes komunikimit telefonik dhe online.
Këto trajnime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt profesionalizimit të mëtejshëm të shërbimeve sociale për të moshuarit, duke fuqizuar njëkohësisht edhe rrjetin e përkujdesjes komunitare në nivel vendor e kombëtar. Përmes projektit eldEARLY, Shqipëria po hedh themelet për një sistem më të ndjeshëm, më të arritshëm dhe më cilësor të shërbimeve për të moshuarit – në respekt të dinjitetit, nevojave dhe kontributit të tyre në shoqëri.