Publikuar më: 05/05/2026
Fjala që dhuron botë
Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror znj. Reme Xholi ishte e pranishme në aktivitetin “Fjala që dhuron botë” të organizuar në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” nga studentët e UET.
Në një kohë kur ritmi i jetës shpesh i largon të rinjtë nga leximi, ky aktivitet solli në vëmendje rëndësinë e librit si një mjet për zhvillimin personal dhe emocional. Libri u prezantua si një “mik i heshtur” që ushqen imagjinatën, nxit ëndrrat dhe i ndihmon fëmijët të shohin përtej realitetit të përditshëm. Përmes bashkëbisedimeve të hapura, dhurimit të librave me dedikime dhe momenteve frymëzuese, organizatorët synuan të krijojnë një lidhje më të afërt mes fëmijëve dhe botës së leximit.
Një nga momentet më të veçanta të aktivitetit ishte prania e autores për fëmijë Adelina Mamaqi, e cila ndau histori dhe emocione me të vegjlit, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese. Aktiviteti u përmbyll si një ditë plot buzëqeshje, pozitivitet dhe dashuri për librin, duke lënë gjurmë të bukura tek të gjithë pjesëmarrësit.

