Publikuar më: 11/02/2026
Marrëveshja e Bashkëpunimit mes SHSSH dhe RSU 1
Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, znj. Reme Xholi, pati kënaqësinë të zhvillojë një takim frymëzues dhe mjaft domethënës me studentët e RSU nr. 1, në një atmosferë të hapur, bashkëbiseduese dhe miqësore. Takimi u fokusua në diskutime të hapura mbi shërbimet sociale në Shqipëri, sfidat e përditshme, rolin thelbësor të specialistëve në mbështetjen e grupeve në nevojë, si dhe rëndësinë e angazhimit aktiv të të rinjve në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe solidare.
Gjatë bashkëbisedimit, studentët patën mundësinë të ndanin mendimet, pyetjet dhe aspiratat e tyre profesionale, duke u njohur më nga afër me misionin, funksionet dhe fushat e veprimtarisë së Shërbimit Social Shtetëror. U theksua veçanërisht roli i të rinjve si faktor kyç në forcimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve sociale, si dhe nevoja për përgatitje profesionale, empati dhe angazhim qytetar.
Ky takim shënoi gjithashtu një moment të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit institucional, i cili u konkretizua me nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Shërbimit Social Shtetëror dhe RSU nr. 1. Kjo marrëveshje krijon mundësi të reja dhe konkrete për përfshirjen e studentëve në praktika profesionale, trajnime dhe aktivitete vullnetare në strukturat e SHSSH në të gjithë vendin.
Përmes këtij bashkëpunimi, synohet jo vetëm rritja e kapaciteteve profesionale të studentëve, por edhe ndërtimi i një ure të qëndrueshme bashkëpunimi mes institucioneve dhe brezit të ri të profesionistëve, në funksion të përmirësimit të shërbimeve sociale dhe mbështetjes efektive për individët dhe familjet në nevojë.

