Publikuar më: 08/10/2025
1 Tetori – Dita Ndërkombëtare e Moshës së Tretë

Në kuadër të 1 Tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Moshës së Tretë, u realizua një tur ndërgjegjësues nga veriu në jug, ku mjeti ynë u përçoi qytetarëve të mbarë vendit mesazhin për më shumë vëmendje, përkujdes dhe dashuri për gjyshërit, sot e gjithmonë.
Në këtë rrugëtim na u bashkuan profesionistë të kujdesit social e shëndetësor, përfaqësues institucionesh, nxënës shkollash dhe vetë gjyshërit tanë, të cilët ndanë mesazhe të fuqishme për rëndësinë e respektit, përkujdesit dhe lidhjes së fortë ndërmjet brezave.
Në institucionet tona rezidenciale e ditore, rreth 450 të moshuar marrin shërbime të dedikuara për ta, që nga kujdesi shëndetësor, mbështetja psikologjike, aktivitetet sociale deri tek shërbimet e përditshme që i ndihmojnë të jetojnë me dinjitet dhe të moshohen në mënyrë aktive. Ndërkohë që nëpërmjet Fondit Social, marrin shërbim 11.700 të moshuar, me 25 shërbime në të gjithë vendin, duke i ndihmuar të qëndrojnë aktivë dhe të kontribuojnë në komunitetin e tyre.
Ky 1 tetor le të jetë dita e zotimit tonë për gjyshërit, për të krijuar një rrjet kujdesi cilësor ku çdo gjysh të jetojë me dinjitet, i vlerësuar dhe respektuar.