Publikuar më: 18/06/2025
1 Qershor – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror organizoi një aktivitet të veçantë festiv në një ambient natyror, me pjesëmarrjen e fëmijëve nga institucionet e përkujdesjes sociale.
Të pranishme në këtë aktivitet ishin Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Albana Koçiu dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, znj. Reme Xholi, të cilat ndanë emocionet dhe gëzimin me fëmijët në këtë ditë të veçantë.
Aktiviteti u zhvillua në një fermë, ku fëmijët patën mundësinë të angazhohen në një sërë aktivitetesh argëtuese dhe edukative: përgatitën biskota, vizatuan, morën pjesë në mbledhjen e perimeve dhe patën mundësi të njihen nga afër me kafshët e fermës. Atmosfera festive u gjallërua edhe më shumë falë lojërave të ndryshme të organizuara nga animatorët, duke sjellë buzëqeshje dhe momente të paharrueshme për të gjithë. Ky aktivitet ishte një tjetër dëshmi e përkushtimit për të siguruar një fëmijëri sa më të gëzueshme, të sigurt dhe të mbushur me kujtime të bukura për çdo fëmijë nën kujdesin e institucioneve sociale.