Për të adresuar problematikën  e fëmijëve në situatë rruge është ndërmarrë një nismë në bashkëpunim  ndërinstitucional mes Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbështetur nga UNICEF dhe OSBE.

Nisma ka filluar të zbatohet në qershor, nën koordinimin e Shërbimit Social Shtetëror dhe Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe njesite bashkiake te Tiranes, Drejtorinë e Policisë Tiranë, Shërbimin Kombëtar të Punësimit, Koordinatorin anti-trafik dhe një grup organizatash me ekspertizë ofruese të shërbimeve për fëmijët në rrezik, në situatë rruge si dhe për familjet e tyre.

Është zgjedhur kjo strategji e bashkëveprimit ndërsektorial, sepse problematika  e fëmijëve në situatë  rruge është komplekse. Zgjidhja e problemeve të familjeve të këtyre fëmijëve kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve.

Institucionet shtetërore të përfshira në këtë Nismë e kanë mandat ligjor mbrojtjen dhe përkujdesjen për fëmijët në të gjithë spektrin e të drejtave të tyre. Pjesë e Nismës janë aktorë nga institucionet qendrore, vendore me mbështetjen e një grup organizatash që ofrojnë shërbim për fëmijë dhe familje në situatë rruge, si ARSIS,SHKEJ,FBSH-DN,Save the Children

Të ndryshëm dhe të barabartë, World Vision, Terre des Homme (TDH)

Koordinimi

Për të koordinuar dhe siguruar angazhimin e sektorëve dhe institucioneve të ndryshme në zbatimin e Planit të Veprimit, është ngritur një Task – Forcë me përfaqësues nga MMRS, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Shërbimi Social Shtetëror, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Bashkia Tiranë, Koordinatori Kombëtar Anti-trafik dhe disa organizata joqeveritare që mbështesin punën e Njësive të Mbrojtjes së Fëmijëve.  

Për koordinimin e punës në terren, Shërbimi Social Shtetëror dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve kanë ngritur një sekretariat (bërthama koordinuese), e cila është vendosur në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror në Tiranë dhe koordinohet nga Nëndrejtoresha e Përgjithshme e SHSSH-së. Roli i kësaj bërthame është ai koordinues për referimin e problematikave në institucionet përkatëse, vënien në lëvizje të aktorëve përgjegjës për gjetjen e rrugës së zgjidhjeve të rasteve. Bërthama e Task – Forcës ka krijuar një data bazë të përgjithshëm të rasteve, mbështetur në të dhënat e siguruara nga terreni. Rastet e reja që identifikohen i shtohen data bazës që ka krijuar bërthama. Bërthama e Task- Forcës po mbështet gjithashtu skuadrat e terrenit në procesin e identifikimit dhe  menaxhimit të rasteve .

 Ngritja e grupeve të terrenit dhe puna në terren

Puna për zbatimin e nismës “Ndihmë për Familjet dhe Fëmijët në situatë rruge” ka filluar  në 5 Njësi Bashkiake Nr.1, Nr 5, Nr 9, Nr.10 dhe Nr.11 në Tiranë të piketuara si zona të nxehta. Cdo njesi bashkiake ka nje skuader terreni. Skuadrat e terrenit  në çdo dalje janë mbështetur dhe shoqëruar  nga dy punonjëse të Agjencisë dhe një punonjëse e Shërbimit Social, të cilët janë njëkohësisht pjesë e bërthamës së Task-Forcës.

Skuadrat e terrenit janë të përbëra nga tre persona, përkatësisht,  punonjëset e Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve (NJMF) të Njësive Bashkiake, një punonjës social i OJF (ARSIS, SHKEJ) që punojnë më fëmijët në nevojë. Nje punonjes policie eshte i gatshem per nderhyrje ne se skuadra e terrenit e ndjen te nevojshme.

Daljet në terren kanë pasur si qëllim observimin dhe identifikimin e fëmijëve dhe familjeve në situatë rruge. Për çdo rast të identifikuar të fëmijëve në situatë rruge, është vendosur komunikimi me familjen, janë marrë të dhëna në lidhje me gjendjen e përgjithshme të fëmijës dhe situatën social- ekonomike të familjes. Informacioni i mbledhur për çdo rast të identifikuar ruhet në data bazën e Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe dërgohet pranë bërthamës së Task-Forcës, e cila ka krijuar një data bazë të përgjithshëm  për të  gjitha rastet. Kur janë vërejtur fëmijë në situatë të rrezikshme për jetën apo të braktisur, ndërhyrja ka qenë e menjëhershme për marrjen e fëmijëve në mbrojtje nga SHSSH.

Gjatë identifikimit të problematikave skuadra e terrenit gjithashtu ka orientuar prindërit dhe familjarët drejt shërbimeve që ofrojnë institucionet shtetërore dhe private.

Shërbimet e ofruara për prindërit dhe fëmijët kanë qenë:

Punësim

Ndihmë ekonomike

Rregjistrim në gjendjen civile

Ndihmë dhe Orientim për përfitimin e statusit të jetimit, të personit me aftësi të kufizuar, kujdestarisë

Ndihma emergjente ushqimesh, veshjesh orendish shtëpiake.

Ndihme për pagesë qeraje kundrejt pranimit të punësimit

Rregjistrim në shkollë, kopësht, çerdhe

Skuadrat u kanë siguruar atyre mbështetje dhe asistencë në adresimin e problemeve në institucionet shtetërore vendore dhe rajonale.

Rezultatet e arritura

  • 48 fëmijë janë ndihmuar të largohen nga jeta në rrugë.
  • 31 fëmijë që ishin në situatë rruge janë regjistruar në shkolla dhe 8 fëmijë në kopësht.
  • 18 familje që ishin në situatë rruge janë trajtuar dhe mbështetur me shërbime.
  • 9 fëmijë janë sistemuar në institucione të përkujdesit dhe 4 janë në proces.
  • 4 prinder jane denoncuar per neglizhim te femijeve dhe shfrytezim te punes se te miturit pasi kane detyruar femijet te qendrojne ne rruge per lypje duke rrezikuar jeten, zhvillimin dhe mireqenien e tyre. Ketyre familjeve u ishin ofruar per nje kohe te gjate sherbimeve dhe ndihmave nga SHSSH dhe OJF-te  Femijet e tyre jane marre ne mbrojtje nga SHSSH.

 

       Çfarë mund të bëni ju?

 Telefononi! Nëse shikoni një fëmijë në rrugë që ka nevojë për ndihmë, mos rrini indiferent!  Merrni në telefon:

tel

  •   067 60 13 639   numri i telefonit të Task Forcës
  •  Alo 116 111

Mbështesni qendrat e shërbimit!

Nëse mendoni se duke dhënë para ne dore, jeni duke ndihmuar fëmijët në situatë rrugë, gaboheni! Paratë tuaja ushqejnë biznesin e shfrytëzimit të fëmijëve. Nëse doni të ndihmoni këta fëmijë, ndihmoni institucionet që ofrojnë shërbime për përkujdesin e tyre.

Mund të jepni kontributin tuaj në një prej qendrave ditore që ofrojnë shërbime përfëmijët në situatë rruge, duke dhuruar veshje apo ushqime:

 

  1. Qendra ditore “Shtëpia e Ngjyrave” Rruga Sali Butka, Njësia Bashkiake Nr 7, (pranë ish Nesharakut). tel: 069 73 94 984
  2. Qendra ditore “ARSIS”, Rruga “Mujo Ulqinaku” Nr. 2 , Njësia Bashkiake 10, Kodi Postar 1001. (pranë kishës Katolike), tel : 04 22 00 148 ,069 76 37 313
  3. Qendra Ditore për Fëmijët në Situatë Rruge, Bulevardi Zogu – 1, mbrapa Ministrisë së Drejtësisë
  4. Qendra ditore “FBSH-dn”, Rr.Niko Avrami, Nr 28, Kinostudio, Tiranë: tel:04 23 78 192
  5. Qendra Komunitare “Engjëjt e Vegjël” SHKEJ, Rruga “Isuf Balta” Nd 20 H.1 Njësia Bashkiake nr 9. Tel: 067 21 66 873
  6. Qendra Komunitare “Eden” SHKEJ, Rruga Princ Vidi, afër shkollës Kol Jakova Njësia Bashkiake nr 11. Tel: 067 21 66 873
  7. Banka e Ushqimit Shqiperi ne info@FoodBank.al

 

                                   Së bashku mund t’ia dalim! Asnjë fëmijë në rrugë!