VENDIM
Nr. 431, datë 8.6.2016
PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË DOKUMENTACIONIT, PROCEDURAVE DHE TË MASËS PËR PËRFITIMIN E PAGESËS SË AFTËSISË SË KUFIZUAR E TË NDIHMËSIT PERSONAL DHE TË STRUKTURAVE PËRGJEGJËSE E TË DETYRAVE TË TYRE NË ZONAT PILOT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, nenit 42, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
I. SUBJEKTET PËRFITUESE
1. Modeli bio-psiko-social i vlerësimit të aftësisë së kufizuar do të pilotohet për një periudhë 6-mujore, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim, nëpërmjet përdorimit të Regjistrit Elektronik Kombëtar, në njësitë administrative nr. 6 dhe nr. 7, të qarkut të Tiranës.
2. Në vlerësimin bio-psiko-social të aftësisë së kufizuar do të përfshihen:
a) individët që kërkojnë të vlerësohen për herë të parë;
b) individët që kërkojnë të rivlerësohen, të cilët kanë përfituar pagesë të aftësisë së kufizuar sipas legjislacionit në fuqi.
II. KRITERET E PËRFITIMIT DHE DOKUMENTACIONI I PRANIMIT
1. Për marrjen e përfitimeve të aftësisë së kufizuar duhet të plotësohen kriteret e mëposhtme:
a) personi të ketë një gjendje mjekësore të vërtetuar të një dëmtimi fizik, mendor, intelektual apo shqisor të lehtë mesatar, të rëndë ose të thellë;
b) të vërtetohen kufizime të lehta, mesatare, të rënda ose të thella, të shkaktuara nga dëmtimi;
c) të vërtetohen kufizime mesatare, të rënda, të thella për të kryer veprimtari domethënëse të jetesës së përditshme, të përshtatshme për moshën e personit dhe për të marrë pjesë në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike;
ç) personi të përjetojë kufizime të konsiderueshme mjedisore dhe qendrimore, të cilat ndikojnë në aftësinë për të kryer veprimtari të jetesës së përditshme dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri;
d) personi të jetë mbi moshën 2 vjeç;
dh) personit nuk i ka lindur e drejta për t’u trajtuar me pension sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, para datës së intervistës së vlerësimit;
e) personi nuk ka qenë në marrëdhënie pune, para lindjes të së drejtës për komisionim, dhe nuk përfiton nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2. Dokumentacioni për përfitimin e aftësisë së kufizuar përfshin:
a) kërkesën/formularin e aplikimit;
b) formularin e plotësuar nga mjeku i familjes;
c) formularin e plotësuar nga mjeku specialist /Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor (QKSHM);
ç) kopje të kartës së identitetit ose certifikatë personale.
3. Dokumentet e përcaktuara në pikën 2 të këtij kreu, dorëzohen/postohen pranë zyrës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar, në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror Tiranë.
III. VLERËSIMI BIO-PSIKO-SOCIAL
1. Procesi i mbështetur në modelin bio-psiko-social të aftësisë së kufizuar përfshin vlerësimin mjekësor të aplikuesit nga mjeku i familjes dhe nga mjeku specialist/QKSHM-ja, një intervistë me aplikuesin në Zyrën Rajonale të Vlerësimit të Personave me Aftësi të Kufizuar nga komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të aftësisë të kufizuar, me mjekë dhe punonjës socialë, verifikimin e informacionit të marrë dhe kontrollin vjetor mjekësor.
2. Vlerësimi bio-psiko-social i aftësisë së kufizuar dhe nivelit të kufizimeve funksionale bëhet në përputhje me Klasifikimin Ndërkombëtar mbi Funksionimin, Aftësinë e Kufizuar dhe Shëndetin të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky vlerësim përfshin faktorët që dëmtojnë aftësinë e një individi për të kryer veprimtari të jetesës së përditshme dhe për të marrë pjesë në shoqëri në kushte të barabarta me të tjerët. Udhëzuesit për vlerësimin bio-psiko-social të aftësisë së kufizuar për të rriturit dhe fëmijët miratohen nga ministri përgjegjës për çështjet sociale dhe ministri përgjegjës për shëndetësinë.
3. Pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror Tiranë ngrihet zyra e administrimit të procesit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar.
4. Pranë zyrës së administrimit të procesit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar krijohet komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të aftësisë së kufizuar në nivel rajonal, i cili përbëhet nga punonjës me kohë të plotë dhe ka në përbërje së paku një mjek dhe një punonjës social/psikolog, të trajnuar për modelin bio-psiko-social të vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar. Komisioni kryesohet nga përgjegjësi i zyrës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe ka këto detyra:
a) hedhjen në Regjistrin Elektronik Kombëtar të të dhënave të aplikuesit;
b) vlerësimin dhe shqyrtimin e dosjeve të paraqitura për vlerësim/rivlerësim;
c) verifikimin dhe shkëmbimin e informacionit elektronik me rrjetin e institucioneve të tjera të kujdesit shëndetësor, të arsimit, punësimit e formimit profesional, sigurimeve shoqërore, tatimeve, strukturave përgjegjëse pranë pushtetit vendor, si edhe institucioneve të tjera, nëpërmjet Regjistrit Elektronik Kombëtar dhe, kur nuk është e mundur, manualisht/zyrtarisht;
ç) caktimin e datës së intervistës dhe njoftimin e kërkuesit ose kthimin e dosjes për plotësim kur ka mungesë dokumentacioni;
d) organizimin dhe kryerjen e intervistës brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së dokumenteve të aplikimit apo në një afat më të shkurtër për rastet për të cilat kërkohet procedurë e përshpejtuar;
dh) përgatitjen e rekomandimeve për shërbime të tjera dhe marrjen e vendimit për përfitimet për shkak të aftësisë së kufizuar;
e) njoftimin e kërkuesit për vendimmarrjen dhe pajisjen me dokumentin përkatës që përcakton aftësinë e kufizuar;
ë) mbajtjen, ruajtjen dhe përditësimin e të dhënave e të dokumentacionit të kërkuesve e të përfituesve të aftësisë së kufizuar, elektronikisht dhe fizikisht.
5. Personat, të cilët kanë një shfaqje të menjëhershme të një sëmundjeje të rëndë ose një humbje të plotë e të menjëhershme të aftësive funksionale për të kryer veprimtari të jetesës së përditshme, mund të kualifikohen për procesin e përshpejtuar të vlerësimit, i cili do të kryhet brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së dokumenteve të aplikimit.
6. Drejtori i Zyrës Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror nxjerr vendimin përfundimtar për të gjithë përfituesit e aftësisë së kufizuar dhe ia përcjell bashkisë:
a) për zbatimin dhe ndjekjen e rekomandimeve të lëna nga komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit;
b) për të kryer veprimet financiare për kryerjen e pagesës për përfituesit e aftësisë së kufizuar.
7. Administratori shoqëror pranë organeve të pushtetit vendor ka këto përgjegjësi lidhur me menaxhimin e rasteve të personave me aftësi të kufizuara:
a) hartimin e një plani individual të përvitshëm të shërbimeve, mbështetur në rekomandimet e komisionit shumëdisiplinor të vlerësimit;
b) kryerjen e vizitave në mjedisin ku jeton individi, jo më pak se dy herë në vit;
c) informimin e zyrës së vlerësimit mbi ndryshimin e gjendjes së personit me aftësi të kufizuara;
ç) informimin e individëve për shërbimet shoqërore ekzistuese nën juridiksionin e bashkisë /njësisë administrative në territorin e së cilës është banor individi;
d) informimin e individëve për kriteret, procedurat dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë për vlerësim/rivlerësim të aftësisë së kufizuar;
dh) informimin e familjarëve për të drejtat e personit me aftësi të kufizuara për t’u përfshirë në të gjitha aspektet e jetës shoqërore;
e) monitorimin dhe mbështetjen e shërbimit të asistencës personale;
ë) evidentimin, raportimin dhe referimin e rasteve të abuzimit e të neglizhencës.
8. Monitorimi i punës së zyrave rajonale për vlerësimin e aftësisë së kufizuar dhe trajnimet e stafit të tyre realizohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror.
IV. PËRFITIMET NË PAGESA DHE SHËRBIME
1. Pagesa për shkak të aftësisë së kufizuar është një pagesë mujore e cila jepet në muajin pasardhës nga data e vendimit për përfitime, me qëllim përmbushjen e nevojave elementare, të lidhura me aftësinë e kufizuar, e cila përfitohet nga personat të cilët janë deklaruar si të tillë me vendim të komisionit shumëdisiplinor të vlerësimit të aftësisë së kufizuar.
2. Pagesa bazë për shkak të aftësisë së kufizuar është 150% e shumës së pensionit social, sipas përcaktimeve në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Pagesa për shkak të aftësisë së kufizuar indeksohet sa herë indeksohet pensioni social/në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit.
a) personat mbi 18 vjeç me kufizime të lehta referohen për të përfituar shërbime/punësim ose, në mungesë të tyre, përfitojnë 60% të pagesës bazë, të përcaktuar në pikën 2;
b) personat mbi 18 vjeç me kufizime mesatare përfitojnë 80% të pagesës bazë, të përcaktuar në pikën 2;
c) personat mbi 18 vjeç me kufizime të thella përfitojnë 100% të pagesës bazë, të përcaktuar në pikën 2;
ç) personat mbi 18 vjeç me kufizime të rënda përfitojnë 120% të pagesës bazë, të përcaktuar në pikën 2;
d) fëmijët me kufizime të lehta referohen për të përfituar shërbime ose në mungesë të tyre përfitojnë 75% të shumës së përcaktuar për personat madhorë me kufizime të lehta, të përcaktuar në shkronjën “a”, të kësaj pike;
dh) fëmijët me kufizime mesatare përfitojnë 75% të shumës së përcaktuar për personat madhorë me kufizime mesatare, të përcaktuar në shkronjën “b”, të kësaj pike;
e) fëmijët me kufizime të rënda përfitojnë 75% të shumës që përfitojnë personat madhorë me kufizime të rënda, të përcaktuar në shkronjën “c”, të kësaj pike;
ë) fëmijët me kufizime të thella përfitojnë 75% të shumës që përfitojnë personat madhorë me kufizime të thella, të përcaktuar në shkronjën “ç”, të kësaj pike.
3. Niveli i pagesës për shkak të aftësisë së kufizuar përcaktohet nga komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit në përputhje me udhëzimet e miratuara nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale.
4. Pagesat për personat me aftësi të kufizuara kryhen përmes shërbimeve bankare ose Postës Shqiptare.
5. Pagesat për shkak të aftësisë së kufizuar ndërpriten, kur:
a) përfituesi nuk ka dorëzuar raportin vjetor mjekësor deri në 30 ditë kalendarike pas datës së përcaktuar për dorëzimin e tij;
b) përfituesi nuk ka ndjekur procedurat e rivlerësimit deri në 30 ditë kalendarike pas datës së përcaktuar nga komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të aftësisë së kufizuar;
c) verifikohet mashtrimi apo shpërdorimi dhe nisin procedurat për kthimin e të gjitha shumave të përfituara padrejtësisht;
ç) zyrat rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit raportojnë për mungesën e bashkëpunimit nga ana e përfituesve, të cilët janë rekomanduar për t’u punësuar dhe/ose për të mbajtur një vend pune apo kanë refuzuar deri në dy herë ofertat e përshtatshme të punës nga zyrat e punës;
d) përfituesi ka qëndruar jashtë vendit më shumë se 6 muaj, me përjashtim të personave e të familjeve të tyre të caktuar me punë pranë përfaqësive tona diplomatike dhe organizmave ndërkombëtarë, si dhe të rasteve të përfituesve të cilët ndodhen jashtë shtetit shqiptar për qëllime kurimi apo rehabilitimi.
6. Fëmijët e moshës mbi 3 vjeç dhe të rriturit, të cilët janë vlerësuar nga komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit se kanë nevojë për paketë higjieno-sanitare në rastet kur kanë dëmtime të rënda ose të thella të lëvizshmërisë dhe që shfaqin mungesë vetëpërmbajtjeje urinare apo defekimi, do të pajisen me një paketë higjieno-sanitare, e cila deri në momentin që do të administrohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor përmes rrjetit farmaceutik, do të jepet në vlerë monetare, e cila përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale.
7. Fëmijët e moshës mbi 3 vjeç dhe të rriturit, të cilët janë vlerësuar nga komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit se kanë nevojë për karrige me rrota në rastet kur kanë dëmtime të rënda ose të thella të lëvizshmërisë, mund të pajisen me karrige me rrota, të cilat administrohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, përmes rrjetit farmaceutik.
8. Fëmijët e moshës mbi 3 vjeç dhe të rriturit, të cilët janë vlerësuar nga komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit se kanë vështirësi në komunikim, mund të pajisen me pajisje të teknologjisë mbështetëse për komunikim, të cilat administrohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, përmes rrjetit farmaceutik.
9. Nxënësit, të cilët ndjekin arsimin e mesëm, të lartë në programe studimi të ciklit të parë dhe të dytë, përfitojnë pagesë në masën 150% të pagesës si person me aftësi të kufizuara gjatë kohës që ndjekin studimet vetëm për një dhe gjatë një programi studimi. Në rastet kur janë anëtarë të familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike përfitojnë pagesë, në masën 200% të pagesës si person me aftësi të kufizuara gjatë kohës që ndjekin studimet vetëm për një dhe gjatë një programi studimi.
10. Janë në kushtet e përfitimit të ndihmësit personal që përmbushin kushtet e mëposhtme:
a) kanë kufizime të rënda ose të thella të aftësive funksionale për të kryer veprimtari të jetesës së përditshme të përshtatshme për moshën dhe për të marrë pjesë në jetën sociale, ekonomike dhe politike të shoqërisë;
b) kanë nevojë për ndihmë për të kryer veprime bazike të lidhura me jetesën e përditshme dhe për pjesëmarrje në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike, sipas përcaktimeve të komisionit shumëdisiplinor të vlerësimit;
c) përfituesit e pagesave për shkak të aftësisë së kufizuar, të cilëve u është ndërprerë pagesa e aftësisë së kufizuar pas periudhës 2-vjeçare të punësimit, nëse përmbushin kriteret e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike.
11. Shkalla e nevojës për shërbimet e ndihmësit personal, gjithëpërfshirëse apo të herëpashershme, përcaktohet nga komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar.
12. Ndihmësit personalë përzgjidhen nga përfituesit, kujdestari ligjor/prindi ose përmes procesit të vendimmarrjes së mbështetur dhe mund të ofrohen nga anëtarë të familjes, të afërm të përfituesit ose familjes, përfaqësues ligjorë ose agjenci të specializuara, të regjistruara dhe të licencuara.
13. Ndihmësi personal, për të ofruar shërbimet e ndihmës personale, duhet të provojë vendbanimin e tij në Shqipëri brenda së njëjtës bashki, aftësinë mendore dhe fizike për të ofruar këto shërbime, që nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë dhe që ka marrë trajnimin e nevojshëm.
14. Shërbimet e ndihmësit personal rregullohen përmes një kontrate ndërmjet marrësit të shërbimeve ose përfaqësuesit ligjor dhe ofruesit të shërbimit.
15. Pagesat për shërbime të ndihmësit personal lidhen me pagesat për shkak të aftësisë së kufizuar dhe indeksohen çdo vit.
16. Shuma e pagesës për shërbime gjithëpërfshirëse është 120% e pagesës bazë të aftësisë së kufizuar.
17. Shuma e pagesës për shërbime të herëpashershme është 80% e pagesës bazë të aftësisë së kufizuar.
18. Ndihmësit personalë, që ofrojnë shërbime të ndihmësit personal për më shumë se një përfitues, marrin një shtesë prej 50% të shumave përkatëse për çdo përfitues të shtuar.
19. Pagesat për shërbime të ndihmësit personal jepen në muajin pasardhës pas vendimit të komisionit shumëdisiplinor të vlerësimit. Pagesa kryhet përmes shërbimeve bankare ose Postës Shqiptare.
20. Kanë të drejtë të përftojnë shërbime të përkthimit të gjuhës së shenjave nëse përmbushen kushtet e mëposhtme:
a) personat që kanë 100% humbje të dëgjimit, të provuar me dokumente shoqëruese mjekësore;
b) personat që përdorin gjuhën e shenjave në komunikimin e përditshëm, të verifikuar gjatë intervistës me komisionin shumëdisiplinor të vlerësimit të aftësisë së kufizuar;
c) kur kjo përcaktohet nga komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të aftësisë së kufizuar.
V. PROCEDURA E ANKIMIMIT
1. Aplikuesi ka të drejtën e ankimimit në rastet e refuzimit të plotë apo të pjesshëm të aplikimit për përfitime për shkak të aftësisë së kufizuar. Ankimimi bëhet me shkrim brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit të refuzimit nga Zyra Rajonale e Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror.
2. Aplikuesi ka të drejtën e ankimimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së përgjigjes nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror.
3. Aplikuesi ka të drejtë të bëjë ankimim pranë Gjykatës Administrative në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
4. Në rastet kur kërkesa pranohet, personit do t’i lindë e drejta e marrjes së përfitimeve që nga muaji pasardhës nga data e marrjes së vendimit për refuzim nga komisioni ose sipas përcaktimeve në vendimin e gjykatës.
VI. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Nuk i nënshtrohen procedurës së vlerësimit në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi përfituesit ekzistues, sipas:
a) vendimit nr. 277, datë 18.6.1997, të Këshillit të Ministrave, “Për përfitimet nga statusi i të verbrit”, të cilët janë të verbër, invalidë pune, si edhe të verbrit, të cilëve u ka lindur e drejta për t’u trajtuar me pension pleqërie/social sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
b) pikave 1 dhe 2, të vendimit nr. 618, datë 7.9.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përçaktimin e kritereve, të dokumentacionit dhe masës së përfitimit të pagesës për personat me aftësi të kufizuara”, të ndryshuar, të cilëve u ka lindur e drejta për t’u trajtuar me pension pleqërie/social sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
c) pikës 1, të vendimit nr. 31, datë 20.1.2001, të Këshillit të Ministrave, “Për përfitimet nga statusi i invalidit paraplegjik e tetraplegjik”, të ndryshuar.
2. Ngarkohen të gjitha organet e administratës shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
3. Ngarkohet ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të nxjerrë udhëzimet përkatëse në zbatim të këtij vendimit dhe formatet standard të aplikimit, vlerësimit dhe përcaktimit të aftësisë së kufizuar.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i fillon efektet nga data 1 shtator 2016.
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
Niko Peleshi