Shpëtohet nga dhuna gruaja me 10 urdhëra mbrojtjeje,SHSSH e strehon në një qendër.

Shërbimi Social Shtetëror largon nga banesa 29 vjeçaren Ermira Rinxhi, e cila kishte 10 urdhëra mbrojeje nga Gjykata kundër ish- bashkëshortit dhe ish-vjehrrës. “Fiks Fare” transmetoi të martën në mbrëmje videon ku Ermira Rinxhi kërcënohej me thikë nga vjehrra e saj në sy të fëmijëve por edhe punonjësve të policisë së Shijakut, reagimet ishin të shumta. Mëngjesin e ditës së mërkurë Policia e Shijakut ka marrë dëshminë e 29 vjeçares dhe të ish-vjehrrës së saj mbi konfliktin e ndodhur gjatë kohës kur Ermira kishte urdhër mbrojtje ndaj ish-vjehrrës, marrë nga Gjykata e Durrësit.

Sipas informacionit të marrë në komisariatin e Shijakut 2 policët e shërbimit nuk e kishin raportuar ngjarjen e ndodhur edhe pse 29 vjeçarja kishte një urdhër mbrojtjeje përballë ish-vjehrrës, që e kërcënonte me thikë në sy të tre fëmijëve të mitur.Pas këtij konfliki, policët e pranishëm në banesën e Ermiës, kishin raportuar se situata u qetësua. Mëngjesin e së mërkurës ka ndërhyrë Shërbimi Social Shtetëror. Drejtoresha e këtij institucioni, znj Etleva Bisha ka kontaktuar me administratën e Bashkisë së Shijakut për ta informuar mbi gjendjen sociale të familjes Rinxhi. Pas vlerësimit të situatës u bë e mundur që Ermira dhe tre fëmijët e saj të strehoen në një nga qëndrat shtetërore në Tiranë në mbrojtje të grave të dhunuara. Konflikti mes grave është përkeqësuar pasi Ermira ka denoncuar për dhunë disa herë Emiljanon, bashkëshortin e saj. Aktualisht ai po vuan një vit burg. Dhuna e përsëritur në familje ka bërë që Ermira të marrë 9 urdhëra mbrojtje për të në gjykatë dhe një për ish-vjehrrën. Por mungesa e një vendi ku të strehoej bënte që të vazhdonte jetesën në të njëjtën çati me dhunuesit e saj. Edhe pse në proces divorci, pasi Emiljano të kryente dënimin, Ermirës do t’I duhej të jetonte në të njëjtën shtëpi me ish bashkëshortin. Por falë denoncimit në “Fiks fare” dhe ndërhyrjes së Shërbimit Social Shtetëror tre fëmijët e Ermirës do të jetojnë të qetë, larg dhunës së babait apo të gjyshes.