Ndihma Ekonomike


Aplikimi për ndihmë ekonomike

Ndihma ekonomike është mbështetja në para, që u jepet familjeve dhe individëve në nevojë, sipas përcaktimeve të bëra në Ligjit nr.57/2019 për Asistencën Sociale në Republikën e Shqipërisë, VKM nr.597, datë 04.09.2019 “Për përcaktimin e proçedurave, të dokumentacionit dhe të masës mujore të përfitimit të Ndihmës Ekonomike dhe përdorimit të fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për Ndihmën Ekonomike”.

E përfitojnë:
-Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme;
-Kategori të veçanta

Dokumentacioni i nevojshëm për familjet në nevojë:


-Kopja e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti;
-Vërtetimin për regjistrimin në shkollë për fëmijët që fillojnë klasën e parë;
-Vërtetimin për ndjekjen e shkollës lëshuar nga shkolla, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar dy herë brenda një viti shkollor;
-Fotokopje të librezës së vaksinimit që provon vaksinimin sipas kalendarit të detyrueshëm për grup-moshat e fëmijëve.

-Kopjen e vërtetimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, për familjet që në përbërje të tyre kanë invalidë pune apo Persona me Aftësi të Kufizuara, që përfitojnë pagesë për aftësinë e kufizuar,
-Certifikatën e pronësisë, të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës (tapinë e tokës), për zonat ku regjistrimi i pronësisë nuk ka përfunduar ende.

Për familjet kur kryefamiljarët janë në proces ndarjeje, duhet të paraqesin edhe vërtetim nga gjykata, që vërteton se kryefamiljari dhe bashkëshortja, të cilët po aplikojnë veçmas njëri nga tjetri për ndihmë ekonomike, janë në një proces të zgjidhjes së martesës dhe akoma nuk ka një vendim të formës së prerë.

Kategoritë e veçanta


1. Viktimat e trafikimit

Pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:
ii) Fotokopjen e kartës së identitetit;
iii) Vërtetimin e trajtimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore, të lëshuar brenda 30 ditëve të fundit.

2.Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare:

Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:
ii) Urdhrin e mbrojtjes ose urdhrin e menjëhershëm të
mbrojtjes; iii) Fotokopje të kartës së identitetit të aplikuesit.

3.Individët që kanë marrë statusin e jetimit që nuk jetojnë në institucionet e përkujdesjes:

Në muajt e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:
i)fotokopje të kartës së identitetit;
ii) Një kopje të noterizuar të statusit të jetimit;
iii) Vërtetim si punëkërkues i papunë, të lëshuar nga zyra e punës, për jetimët mbi moshën 18 vjeç

4.Prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh

Të paraqesin kërkesë për t’u trajtuar me ndihmë ekonomike si 3, 4, 5-njakë, në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:
i) Kërkesë për t’u trajtuar me ndihmë ekonomike si tre, katër, pesënjakë;
ii) Certifikatë familjare që vërteton lindjen e fëmijëve tre, katër, pesënjakë;
iii) Verifikimi social-ekonomik i familjes nga administratori shoqëror, që është familje në nevojë.

5.Fëmijët në kujdestari të familjeve kujdestare:


Administratori shoqëror i njësisë së qeverisjes vendore, kur kontakton me familje kujdestare të cilat kanë marrë me vendim gjykate të formës së prerë fëmijë në shërbimin e kujdestarisë ,ju vë në dispozicion dhe i ndihmon këto familje për të plotësuar formularët të cilët janë bashkëlidhur vendimin nr.89,datë 26.01.2012 “Për përcaktimin e kritereve, të dokumentacionit dhe procedurave të shërbimit të kujdestarisë” me dokumentacionet si më poshtë vijon brenda muajit:
I-Formulari nr.1 “Mbi të dhënat e aplikuesit” dhe raporti i përgatitur nga subjekti privat që ofron shërbimin e kujdestarisë për familjen aplikuese kujdestare.
II-Formulari nr.2, “Me të dhënat e detajuara të familjes kujdestare” dhe dokumentacionet e mëposhtme:
-Certifikatën e gjendjes familjare dhe fotografi të prindërve;
-Dëshmi penaliteti për anëtarët e familjes mbi 14 vjeç;
-Raportin mjeko-ligjor që vërteton që se prindërit e familjes janë të aftë fizikisht dhe mendërisht;
-Vërtetim të lëshuar nga qendra e punës apo organet e tatim-taksave, mbi të ardhurat që kanë nga punësimi/vetëpunësimi prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes;
-Dëftesë të shkollës për fëmijët e familjes kërkuese të cilët janë duke ndjekur shkollën/studimet;
-Referenca për familjen nga 2 persona (njëri prej të cilëve duhet të jetë një përfaqësues i komunitetit, në të cilën familja jeton);
III-Formulari nr.3 së bashku me dosjen e fëmijës me dokumentacionet si më poshtë vijon:
-Certifikatë personale e fëmijës me fotografi;
-4 fotografi të fëmijës në këmbë;
-Certifikatë familjare e fëmijës;
-Raportin mjeko-ligjor për gjendjen shëndetësore dhe psikike të fëmijës;
-Kopje të fletores së fëmijës për vaksinat e kryera;
-.Dëftesën shkollore për fëmijën,nëse fëmija frekuenton një të tillë;
-Vërtetim nga institucioni I përkujdesit shoqëror,nëse fëmija frekuenton /te një të tillë;
-Vërtetim mbi të ardhurat financiare të prindërve biologjikë;
-Vendimin e gjykatës për marrjen në kujdestari nga familja aplikuese kujdestare;
-Raportet mbi takimet fillestare të fëmijëve dhe familjes
-Planin individual të ofrimit të shërbimit të kujdestarisë.

Procedura e aplikimit për ndihmë ekonomike

SKEMA E RE E NDIHMES EKONOMIKE

Ku aplikohet për ndihmë ekonomike

Familjet pa të ardhura dhe me të ardhura të pamjaftueshme dhe kategoritë e tjera mund të aplikojnë për përfitimin e ndihmës ekonomike pranë njësisë vendore ku kanë vendbanimin.

Kur aplikohet për ndihmën ekonomike

Për të përfituar ndihmë ekonomike kryefamiljari, së bashku me bashkëshorten nga data 1-10 të cdo muaji paraqiten pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashki/njësitë për të aplikuar për ndihmë ekonomike si familje në nevojë me   kopjen e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti (për fëmijët certifikata ) dhe dokumente të tjera të përcaktuara në aktet nënligjore.

Si aplikohet

Administratori, në prani të kryefamiljarit bashkëshortes, apo individëve plotëson on-line në sistem aplikimin për ndihmë ekonomike të cilët përmbledhin informacionin për: demografinë e familjes, arsimin dhe punësimin; llojin e banesës; pasuritë/asetet shtëpiake; të ardhurat nga programet e mbrojtjes sociale. Është me shumë rëndësi që informacioni të jetë i saktë , pasi në rast të kundërt penalizohen familjet për deklarim të rremë.

Verifikimi i të dhënave

Lista e familjeve aplikante verifikohet automatikisht nga sistemi elektronik me të gjitha institucionet dhe pasi përfundon ky verifikim në lidhje me saktësinë e informacionit  merret vendimi për këto familje.

Vendimi për ndihmën ekonomike

Vendimi për trajtimin me ndihmë ekonomike merret brenda muajit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror  nëpërmjet   formulës së pikëzuar   që përfshin parametra të lidhur me vlerësimin e situates ekonomike të familjeve, të tilla si: kushtet e jetesës, zotërimi i pasurive, të ardhurat nga remitancat. Formula e pikëzuar merr parasysh karakteristikat e ndryshme strukturore të familjeve urbane dhe rurale.

Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social dërgon Vendimin  final së bashku me listën e familjeve fituese me masën e përfitimit dhe familjet jopërfituese me  arsyet përkatëse kryetarit të njësisë vendore për të njoftuar  të gjithë aplikantët dhe për të bërë ekzekutimin e pagesës.

Për të gjitha familjet përfituese është e detyrueshme paraqitja çdo 3 (tre) muaj tek zyra e administratorit  shoqëror i cili  plotëson deklaratën social-ekonomike  dhe e hedh në sistem si dhe  verifikon gjëndjen shoqërore dhe ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë, si dhe dy herë në vit të gjitha familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike.

Mosparaqitja një herë në 3 muaj dhe moslejimi i verifikimit social –ekonomik në familje largon familjen nga skema e ndihmës ekonomike.

Ku dhe si ankimohet vendimi

Familjet të cilat janë refuzuar se nuk kanë marrë pikët e mjaftueshme kanë të drejtën e riaplikimit në muajt pasardhës dhe gjithashtu ruajnë të drejtën e ankimimit në lidhje me vendimin e marrë.

Ankimimi bëhet  me shkrim fillimisht pranë njësisë vendore, e cila është e detyruar të kthejë përgjigje brenda 7 ditëve kalendarike nga marrja e ankesës.

Pas ezaurimit të ankimimit te njësia vendore , ka të drejtë të ankimojë  te Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror dhe në gjykatë.

Për familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, bazuar në vlerësimin social-ekonomik, të kryer nga administratori shoqëror, Këshilli Bashkiak ka të drejtë të miratojë dhënien e ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike deri në 6% dhe/ose me fonde të buxhetit vendor.

Për më shumë informacion mund të referoheni: 

Ligjit nr.57/2019 për Asistencën Sociale në Republikën e Shqipërisë, VKM nr.597, datë 04.09.2019 “Për përcaktimin e proçedurave, të dokumentacionit dhe të masës mujore të përfitimit të Ndihmës Ekonomike dhe përdorimit të fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për Ndihmën Ekonomike.”

Përfitimi i Pagesës së Aftësisë së Kufizuar

_______________________________________

Përfitimi i pagesës së Aftësisë së Kufizuar

 

Pagesa për Personat me Aftësi të Kufizuar është pagesa mujore, në lekë, që u jepet Personave me Aftësi të Kufizuar, sipas përcaktimit të Ligjit nr.57/2019 për Asistencën Sociale në Republikën e Shqipërisë” , Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 182, datë 26.02.2020 ” Për përcaktimin e masës, të kritereve, proçedurave e dokumentacionit për vlerësimin dhe përfitimin e pagesës së personave me Aftësi të Kufizuara, si dhe të ndihmësit personal.”, i ndryshuar me VKM 707, datë 09.09.2020.

 

Dokumentacioni i nevojshëm

Personat që kërkojnë të komisionohen për vlerësimin e Aftësisë së Kufizuar, duhet të paraqesin në seksionet e ndihmës dhe të përkujdesjes shoqërore të bashkisë/komunës, dokumentacionin e mëposhtëm:

-Certifikatën e gjendjes familjare;
-Certifikatën personale me fotografi;
-Vendimin e mëparshëm të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), i cili vërteton shkallën e aftësisë së kufizuar të personit;
-Fletëdrejtimin për në KMCAP, kur personi komisionohet për herë të parë;
-Epikrizën përcjellëse, sa herë rikomisionohet;

Kur personi me Aftësi te Kufizuara, i cili me vendim të komisionit mjekësor, përcaktohet se ka nevojë për përkujdesje, përveç dokumentacionit të mësipërm, duhet të paraqesë edhe këto dokumente shtesë:

-Certifikatën personale, me fotografi, të personit kujdestar;
-Deklaratën/vendimin gjyqësor, për kujdestarin e zgjedhur nga personi me aftësi të kufizuara;
-Raportin mjeko-ligjor, që vërteton se kujdestari është i aftë, fizikisht dhe mendërisht.

Personat me aftësi të kufizuara, të cilët ndjekin shkollën e mesme apo shkollën e lartë, me apo pa shkëputje nga puna, përveç dokumentacionit të përcaktuar për personat që kërkojnë të komisionohen për vlerësimin e aftësisë së kufizuar:

-Certifikatën e gjendjes familjare;
-Certifikatën personale me fotografi;
-Vendimin e mëparshëm të KMCAP-it, i cili vërteton shkallën e aftësisë së kufizuar të personit;
-Fletëdrejtimin për në KMCAP, kur personi komisionohet për herë të parë;
-Epikrizën përcjellëse, sa herë rikomisionohet;

Duhet të paraqesin edhe dokumentet e mëposhtme:

-Vërtetimin e nënshkruar nga titullari dhe sekretari i shkollës, ku të shënohen:
-Emri i personit, që ndjek shkollën;
-Lloji i arsimit që ndjek, ku përcaktohet, nëse është cikël shkollor normal ose i përsëritur;
-Vitin shkollor;
-Vërtetimin e nënshkruar nga titullari dhe sekretari i shkollës për frekuentimin e shkollës nga personi përfitues (çdo tre muaj);
-Kopjen e noterizuar të dëftesës shkollore të çdo viti dhe kopjen e noterizuar të diplomës në mbarim të shkollës së mesme apo të lartë, si dhe kopje të dëshmive të kurseve të kualifikimit;
-Vërtetimin se ka shlyer detyrimet për çdo sezon, për shkollën e lartë, pa shkëputje nga puna;

Hapat e procedurës

-Personat, të cilëve u është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore, të intelektit, psikike/mendore, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje, të përkohshme apo të përhershme, që nuk vijnë nga shkaqe, që lidhen me punësimin, e vërtetuar kjo nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), përfitojnë pagesë për shkak të aftesisë së kufizuar.
-Personat paraplegjikë e tetraplegjikë, të cilët deklarohen, me vendim të Komisionit Mjekesor të Përcaktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha, përfitojnë pagesë për shkak të aftësisë së kufizuar.
-Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilët, me vendim të komisioneve mjekësore të caktimit të aftësisë për punë, përcaktohen se kanë nevojë për përkujdesje, përfitojnë edhe një kujdestar me pagesë.
-Vlerësimi i gjendjes mjekësore të Personave me Aftësi të Kufizuara, bëhet nga KMCAP-i, i cili është i ngritur dhe funksionon pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku merr pjesë, si anëtar me të drejtë vote edhe mjeku, punonjës i Shërbimit Social Shtetëror.
-Invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë pajisen me dëshmi zyrtare identifikimi. Kriteret e dhënies së dëshmisë dhe forma e saj përcaktohen në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe të Shërbimit Social Shtetëror.

Personave me AK të cilët komisionohen për herë të parë iu lind e drejta e përfitimit të pagesës dy muaj pas marrjes së vendimit në komision.

Untitled Document

PAGESA

Informacion për skemën e Ndihmës Ekonomike dhe Pagesat për Aftësinë e Kufizuar.





SHERBIME

Informacion dhe udhëzime për Rrjetin e Institucioneve të Përkujdesit Social.






REGJISTRI ELEKTRONIK KOMBETAR

Informacion për projektin pilot të modernizimit të NE në tre qarqe pilot: Tiranë, Durrës dhe Elbasan.