

Shkodër, 20 gusht 2014- Pas dy muajsh punimesh intensive, Shtëpia e Pushimit në Velipojë ka një fytyrë të re. Kështu një tjetër projekt i rrjetit Miqtë e Shërbimit Social është përmbyllur me sukses duke u dhuruar fëmijëve pa kujdes prindëror një mjedis çlodhës dhe me standarde të përmirësuara. Falë donacioneve nga Banka Kombëtare Tregtare që financoi pajisjet elektroshtëpiake , Gulf Albania që kontribuoi për kompleksin e lodrave në oborr dhe ato për fëmijë, sipërmarrësit Sait Fishta që kreu të gjitha punimet brenda e jashtë godinës dhe Fondacionit “Shpresë për Botën” që arredoi pjesën e brendshme, Shtëpia e ngritur që në vitet ’60 ofron 960 metra katror të gatshme për të pritur grupe nga shtëpitë e fëmijës në të gjithë Shqipërinë për të kaluar pushimet verore ose aktivitete të tjera çlodhëse.
Në ceremoninë e përurimit, zvdrejtoresha e përgjithshme e SHSSH-së, zj Lida Leskaj, theksoi se ky projekt është një dëshmi suksesi i filozofisë së bashkëpunimit mes aktorëve të ndryshëm për të garantuar një mbrojtje më të mirë sociale për qytetarët shqiptarë. “Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që i janë bashkuar nismës sonë “Miqtë e Shërbimit Social”, një rrjet vullnetar që bashkon të gjithë ato organizata e biznese që duan të ndihmojnë grupet në nevojë. Roli ynë si Shërbim Social është të koordinojmë këtë energji pozitive dhe burimet financiare e njerëzore që shoqëria ka të disponueshme për grupet në nevojë, duke garantuar monitorimin e standarteve të shërbimit dhe përmirësimin e tyre të vazhdueshëm. Shtëpia e Pushimit në Velipojë do të pasohet nga shumë investime të tjera që po kryhen në institucionet e përkujdesit social në të gjithë Shqipërinë”.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i BKT, z. Adrian Bunguri theksoi se përgjegjshmëria sociale ka qenë dhe mbetet ndër prioritetet kryesore të Bankës Kombëtare Tregtare. “Është gjithmonë një kënaqësi të shohësh se sa shumë mund të arrihet kur ekziston dëshira e mirë. Gjej rastin të falenderoj të gjithë ata që iu bashkuan nismës tonë nëpërmjet rrjeteve sociale për të kontribuar për këta fëmijë, të cilët dinë ta shprehin mirënjohjen bujarisht me monedhën më të paçmuar, buzëqeshjen e tyre.”
Në emër të Gulf Albania, zj Belinda Guga shprehu entuziazmin për përfshirjen e Gulf Albania në këtë projekt. Në kuadër të përgjegjësisë sociale, Gulf Albania do të vazhdojë të japë mbështetjen e saj në aktivitete të tilla për njerëzit në nevojë, veçanërisht për fëmijët. Kontributi i kompanisë synon që të përmirësojë cilësinë e jetës për këta fëmijë duke i ofruar atyre këndin e lojrave për më shumë argëtim dhe socializim. Gulf Albania uron që kjo Shtëpi Pushimi të kthehet në një vend argëtues për të gjithë fëmijët që do të kalojnë pushimet e tyre këtu.
Shtëpia e Pushimit në Velipojë priti këtë verë fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës parashkollor në Shkodër, për t’u pasuar nga fëmijët e moshës shkollore të Shtëpisë së Fëmijës Shkodër. Aktualisht në Shqipëri funksionon një rrjet prej 29 Institucionesh të përkujdesit social, nga të cilat 11 janë në varësi të drejtpërdrejtë të SHSSH-së dhe të tjerat në varësi të pushtetit lokal. Miqtë e Shërbimit Social kanë aktualisht 2 projekte madhore që kanë të bëjnë me rehabilitimin e shtëpive të fëmijës në Sarandë dhe Vlorë, ndërsa janë në bisedime edhe disa projekte të tjera për Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë, Durrës, etj.
Për informacione të mëtejshme, lutem kontaktoni :
Drejtoria e Komunikimit dhe IT
info@sherbimisocial.gov.al