Shërbimi Social Shtetëror kallëzon në Prokurori Kryetarin e Bashkisë Kamëz, Kryetarin dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak Kamëz, punonjësit e seksionit të NE dhe AK të Bashkisë Kamëz  dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Prefektit të Qarkut Tiranë

Shërbimi Social Shtetëror i Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë ka kallëzuar në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës, Kryetarin e Bashkisë Kamëz, Kryetarin dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak Kamëz, punonjësit e seksionit të NE dhe AK të Bashkisë Kamëz  dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Prefektit të Qarkut Tiranë me motivacionin e shpërdorimit të detyrës.

Pas kontrollit të ushtruar në Bashkinë Kamëz nga auditi i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror për periudhën janar-dhjetor 2013, u konstatuan një sërë shkeljesh ligjore që ngarkojnë me përgjegjësi penale funksionarët e sipërpërmendur. Në mënyrë të përmbledhur shkeljet konsistojnë në këto drejtime :

3103 familje trajtohen me ndihmë ekonomike në Bashkinë Kamëz, në kundërshtim me VKM nr.787 datë 14.12.2005 “Për përcaktimin e kritereve të proçedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike”, i ndryshuar me VKM nr.96, dt.07.02.2011, me Udhëzimin nr.338/3, datë 10.03.2006, duke i shkaktuar një dëm ekonomik shtetit në vlerën 15 191 700 lekë për një muaj.         

147 familje trajtohen me ndihmë ekonomike në kundërshtim me VKM nr.787 datë 14.12.2005, “Për përcaktimin e kritereve të procedurave dhe masës së ndihmës ekonomike”, i ndryshuar, pika 5, duke i shkaktuar një dëm ekonomik shtetit në vlerën 3 338 900 lekë. Këto familje, të cilat kanë ardhur nga rrethe te tjera janë përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike pa patur konfirmimet nga rrethet nga kanë ardhur, siç përcaktohet në legjislacionin në fuqi.

Janë miratuar nga Këshilli Bashkiak fondet e ndihmës ekonomike pa patur fare listat e familjeve përfituese.

Kryetari i Bashkisë Kamëz, ka tejkaluar kompetencat ligjore, duke firmosur projekt-vendimet e ndihmës ekonomike në kundërshtim me Udhëzimin nr.383/3, datë 10.03.2006, Seksioni XI, pika 3.

Llogaritjet për masën e ndihmës ekonomike nuk janë kryer sipas legjislacionit, e për rrjedhojë në shumë raste familje në kushte të ndryshme kanë marrë masë të njëjtë të ndihmës ekonomike. Në shumë raste është akorduar e njëjta masë ndihme si për familjen me 1 anëtar dhe për atë me 7-8 anëtarë. Në këto raste përveç dëmit ekonomik të shkaktuar, ka edhe trajtim të pabarabartë të shtetasve.

Në muajin Prill e Maj në borderotë e pagesës së ndihmës ekonomike mungojnë numrat e llogarisë ku paguhet ndihma ekonomike, respektivisht për 783 familje dhe 1179 familje. Sipas legjislacionit, pagesat e ndihmës ekonomike bëhen në bankë, dhe mungesa e numrave te llogarive ngre dyshimin për abuzime.

Ish Sekretari i Përgjithshëm i Prefektit të Qarkut Tiranë ka miratuar vendime të Këshillit Bashkiak, të cilët kanë qenë të paligjshëm, sepse nuk janë marrë konform ligjit dhe nuk kanë patur bashkëlidhur listat e përfituesve të ndihmës ekonomike

Në përfundim të këtij kontrolli, Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të tjerë që do të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve të kryera.

Shërbimi Social Shtetëror vazhdon kontrollet e skemës së Ndihmës Ekonomike dhe Aftësisë së Kufizuar në të gjithë vendin.