

Tiranë, 25 prill 2014- Thellimi i procesit të deinstitucionalizimit të shërbimeve, mbetet rruga më e mirë e zgjidhjes së problemeve sociale të moshës së tretë. Ky ishte thelbi i mesazhit që përcolli Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror në konferencën ndërkombëtare “Probleme të mprehta dhe nevojat e moshimit në shoqërinë shqiptare” mbajtur në Akademinë e Shkencave në Tiranë të premten e kaluar.
Konferenca pati për qëllim shkëmbimin e përvojave më të mira në botë dhe njohjen e rolit të secilit aktor shoqëror në përmirësimin e asaj që quhet “kulturë moshimi”.
Duke iu referuar prirjes në rritje të peshës specifike demografike që zenë të moshuarit në Shqipëri (aktualisht 11-12 % e popullsisë) si dhe kërkesave në rritje për trajtim rezidencial nga shteti të tyre, zj Bisha vuri në dukje se strategjia e SHSSH-se për të adresuar këtë problematikë mbështetet në tre shtylla kryesore:
Së pari, kthim të vëmendjes drejt familjes, kuptimit të rolit dhe përgjegjësisë që ato kanë për brezat e moshuar, detyrimin moral për të kthyer pozitivisht kontributin ndaj të moshuarve, në mënyrë që të jetojnë me dinjitet.
Së dyti, vëmendje më të madhe nga pushteti vendor. Qarqet, Bashkitë dhe Komunat duhet të bëjnë vlerësime objektive të nevojave që kanë për trajtimin e të moshuarve në nevojë, për të moshuarit që kanë në komunitet dhe juridiksionin e tyre.
Së treti, modelimi i shërbimeve të reja për të moshuarit në shtëpi, si psh me skuadra lëvizëse, si dhe qëndra ditore të vogla për kalimin e kohës së lire dhe asistencë psiko-sociale dhe mjekësore.
“Qëllimi ynë është të ndjekim ato politika sociale, qëpërmirësojnë strategjinë e ndërtimit të një shoqërie për të gjithë moshat”, tha zj Bisha.
Shqipëria ka një rrjet institucionesh të përkujdesit social, të shpërndarë në gjithë vendin. Aktualisht në qëndrat publike të të moshuarve trajtohen ne menyre rezidenciale rreth 300 të moshuar, ndërsa në ato të shërbimit jo publik afërsisht 200 të moshuar. Ndërkaq duke marrë në konsideratë edhe shërbimet e ofruara nga OJF-të e ndryshme, në qendra ditore, komunitare, polivalente, etj, sot janë të përfshirë në sistemin e shërbimeve sociale rreth 1400 të moshuar.