Sarandë, 20 maj- Dy muaj pas ngritjes së tij, rrjeti Miqtë e Shërbimit Social sjell rezultatin e parë. ALBtelecom dhe Eagle Mobile së bashku me Fondacionin “Shpresë për Botën” dhe Bashkinë e Sarandës do të rehabilitojnë godinën e Shtëpisë së Fëmijës në këtë qytet me një investim që kalon 20 mijë euro. Po kështu, AlbTelecom &Eagle Mobile do të investojnë 5000 euro në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë për mobilimin e dhomave të fëmijëve.

Projektet u paraqitën sot në një ceremoni festive të organizuar nga AlbTelecom and Eagle në Shtëpinë e fëmijës Sarandë. Për fëmijët ishte menduar një koncert i vogël dhe dhurata.
Të pranishëm në këtë event kanë qenë Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, znj. Etleva Bisha, Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom, Dr. Erkan Tabak dhe Kryetari i Bashkisë së qytetit të Sarandës, z. Stefan Çipa.

ALBtelecom dhe Eagle Mobile iu përgjigjën pozitivisht ftesës për të qenë pjesë e rrjetit Miqtë e Shërbimit Social, ngritur në mars të këtij viti, së bashku me kompani të tjera private e fondacione që ushtrojnë përgjegjësinë sociale në veprimtarinë e tyre.
Që nga 25 marsi kur u prezantua nisma e Miqve të Shërbimit Social , rradhët e tij janë shtuar me kompani e organizata të tjera, të cilët po negociojnë projekte të veçanta me SHSSH-në për institucionet e përkujdesit social.

Qëllimi i Miqve të Shërbimit Social është që të sigurojë partneritete afatgjatë me bizneset për përmirësimin e standarteve të infrastrukturës në institucionet e përkujdesit social dhe një shpërndarje më të mirë të ndihmave për kategoritë në nevojë. Nga ana tjetër, Shërbimi Social po punon paralelisht me monitorimin dhe rritjen e standarteve të shërbimit në këto institucione, sipas praktikave më të mira.