

Miqtë e Shërbimit Social në veprim- kompania GLOBE dhuron për IPSH-të
Tiranë, 28 qershor 2014- Katër muaj pas themelimit, Miqtë e Shërbimit Social janë shtuar duke ofruar kushte më të mira banimi dhe jetese për institucionet publike të përkujdesit social ku marrin shërbim fëmijë pa kujdes prindëror, të moshuar, persona me aftësi të kufizuar, gra të dhunuara apo viktima të trafikimit, etj.
Kompania GLOBE që operon prej vitesh në fushën e elektroshtëpiakeve iu bashkua kësaj nisme me dhurimin e 13 pajisjeve me një vlerë 400 100 lekë që do të shkojnë për Qendrën Polivalente të të Moshuarve Poliçan (1), Shtëpinë e të Moshuarve Tiranë (1), Qendrën Tranzitore të Emergjencave (6) dhe Qendrën Kombëtare Pritëse për Viktimat e Trafikimit (5).
E pranishme në ceremoninë e dhurimit, Drejtoresha e Përgjithshme e SHSSH-së zj Etleva Bisha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me biznesin për të ofruar një mbrojtje sociale efikase për qytetarët shqiptarë. « Ne jemi të inkurajuar nga jehona dhe suksesi i nismës « Miqtë e Shërbimit Social » dhe besojmë se kjo është rruga e duhur për t’iu përgjigjur më së miri nevojave të veçanta të grupeve që trajtojmë në institucionet e përkujdesit social, krahas politikave tona për shërbime më pranë familjes.Vizioni ynë është që të gjithë së bashku, mund t’ia dalim të lehtësojmë problematikat sociale për një shoqëri që i trajton me dinjitet e respekt anëtarët e saj, qofshin fëmijë , të rritur apo të moshuar. »
Përfaqësuesja e kompanisë GLOBE, zj Ornela Boci nga ana e saj theksoi se përgjegjësia sociale që aplikon ky biznes mbështetet në filozofinë e plotësimit të nevojave të të gjitha familjeve në pajisjet për shtëpinë. « Shtresat në nevojë janë përparësi e politikave tona dhe Shërbimi Social Shtetëror është institucioni i duhur për të realizuar këtë mbështetje. Jemi të kënaqur nga bashkëpunimi që do të vazhdojë edhe në të ardhmen si pjesë e rrjetit « Miqtë e Shërbimit Social ».
Aktualisht në Shqipëri funksionon një rrjet prej 29 IPSH-sh publike, nga të cilat 11 janë në varësi të drejtpërdrejtë të SHSSH-së dhe të tjerat në varësi të pushtetit lokal. Miqtë e Shërbimit Social kanë aktualisht 3 projekte madhore që kanë të bëjnë me rehabilitimin e shtëpive të fëmijës në Sarandë dhe Vlorë dhe Shtëpinë e Pushimit të fëmijëve në Velipojë, ndërsa janë në bisedime edhe disa projekte të tjera për Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë, Durrës, etj.