

E dashur ____________,
Më lejo të të uroj që në fillim festën e Mësuesit dhe të shpreh mirënjohjen time të veçantë për përkushtimin e treguar ndaj fëmijëve në institucionet e përkujdesit social.
Janë mësuesit si ju ata që pjesën më të madhe të jetës ua kushtojnë fëmijëve tanë, duke i mbrujtur me njohuritë e domosdoshme për të bërë përpara e duke i frymëzuar se si të jenë të suksesshëm. Jeni ju, mësuesit, ata që i dëgjoni fëmijët, i nxisni të kapen fort pas ideve dhe vlerave, që u mësoni të jenë krijues e ta duan të vërtetën, të bukurën, të jenë tolerantë e të drejtë.
Por, duke u ndenjur çdo ditë pranë fëmijëve pa përkrahje dhe me aftësi të kufizuar, të palodhura në fisnikërinë e punës tuaj, ju bëni edhe më shumë se sa kaq! Sot, në 7 mars, bashkë me ju festojnë edhe qindra mësues anembanë vendit, të cilët me përkushtim kryejnë misionin fisnik të edukimit të brezit të ri, që të punojnë fort e me ndershmëri për të vetmen pasuri që i reziston kohërave: dija dhe mendja e hapur.
Puna juaj është dyfish e vështirë, pasi ju luani edhe rolin e familjes për ata fëmijë të cilët strehohen përkohësisht në institucionet rezidenciale të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ndaj sot, në ditën tuaj, unë dua përulem dyfish para përkushtimit që ju tregoni çdo ditë me fëmijët.
Çdo përpjekje për një të ardhme më të mirë për vendin tonë duhet të ndërtohet mbi bazën e një vlerësimi dhe mirënjohjeje të thellë për punën e mësuesve. Në këtë 7 mars dua t’ju falenderoj për orët e panumërta, për djersën dhe mundin tuaj, dhe angazhimin e palodhur për fëmijët tanë.
Duke ju uruar Gëzuar Festën,
Sinqerisht,
Erion Veliaj