Tiranë, 22 prill 2014- Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror në Korçë  ka denoncuar në Prokurorinë e Rrethit administratoren e ndihmës ekonomike dhe PAK në komunën Qendër Bulgarec të Qarkut Korcë me motivacionin e shpërdorimit të detyrës dhe shkaktim dëmi ekonomik. Pas kontrollit të ushtruar në muajin shkurt 2014 për zbatimin e legjislacionit për përfitimin e pagesës së ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar si dhe realizimin e detyrave të lëna nga kontrolli i meparshëm, u konstatuan  këto shkelje:

 - 109 familje kanë përfituar ndihmë ekonomike në vitin 2013 në shkelje të VKM nr.787 datë 14.12.2005 “Për përcaktimin e kritereve të procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike”, dhe Udhëzimit Nr.338/3 datë 10.03.2006, duke shkaktuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 2.429.160 lekë lekë për vitin 2013.

- 62 familje që në momentin e kryerjes së kontrollit nuk ishin në skemën e ndihmës ekonomike, sepse ishin larguar nga skema nga administratorja, në vitin 2013 këto familje kanë përfituar ndihmë ekonomike,  në kundërshtim me VKM Nr.787 datë 14/12/2005 “Për përcaktimin e kritereve të proçedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike”, i ndryshuar, Kreu III dhe Udhëzimit Nr.338/3 datë 10/03/2006, i ndryshuar, duke shkaktuar një dëm ekonomik vjetor buxhetit të shtetit prej 1 024 240 lekë

- në 2 (dy) raste janë kryer pagesave për personat para dhe tetraplegjik dhe kujdestarët e tyre, pas vdekjes së personave me aftësi të kufizuar,në kundërshtim me V.K.M. nr.618 datë 7.9.2006″ Për përcaktimin e kritereve, të dokumentacionit dhe masës së përfitimit të pagesës për personat me aftësi të kufizuar ”, duke i shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit prej 142000 lekë, ndërsa në 1 (një) rast personi me aftësi të kufizuar është trajtuar pas përfundimit të afatit të përcaktuar në Vendimin e Komisionit Mjekësor, në kundërshtim me V.K.M. nr.618 datë 7.9.2006″ Për përcaktimin e kritereve,të dokumentacionit dhe masës së përfitimit të pagesës për personat me aftësi të kufizuar ”, duke shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit në vlerën gjithsej 12000 lekë.

 Veprimet e mësipërme ngarkojne me përgjegjësi Administratoren e ndihmës ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar të Komunës Qendër Bulgarec , për të cilën është depozituar kallëzim penal në Prokurori nga Drejtoria Rajonale e SHSSH.

Shërbimi Social Shtetëror vazhdon kontrollet e skemës së ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar në të gjithë vendin.