Shërbimi Social Shtetëror organizoi në 7 Shtator në ambientet e Qendrës Rinore një Dëgjesë e Konsultim me organizatat që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës dhe ofruesit e shërbimit për fëmijë në institucionet publike të përkujdesit. Në fokus të diskutimit ishin institucionet publike të përkujdesit për fëmijë. Drejtori i Përgjithshëm i SHSSH prezantoi për pjesëmarrësit: rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve publike, hapat e hedhur nga SHSSH në drejtim të parandalimit të vendosjes së fëmijëve në qendra rezidenciale, arritjet dhe sfidat në këndvështrimin e deinstitucionalizimit, si dhe masat për parandalimin e dhunës në këto institucione.
 
Në dhjetor 2013 në instituconet publike të përkujdesit ofrohej shërbim për 306 fëmijë, në gusht 2016 numri i fëmijëve në këto institucione është 171 fëmijë. Rënia e qëndrueshme e numrit të fëmijëve në institucione publike është pasojë e përpjekjeve për parandalim, si dhe e shkurtimit të kohës së qëndrimit të fëmijës në institucion. SHSSH pas një vlerësimi të shërbimit rezidencial për fëmijë i ka propozuar MMSR:
·         Mbylljen e shërbimit në Shtëpinë e Fëmijës parashkollor Shkodër (3-6 vjec)
·         Transformimin e shërbimit të fëmijëve të grup moshës 6-18 vjec në 6-15 vjeç
·         Ngritjen e shërbimit të ri për moshën 16-18 vjeç.
 
Fuqizimi i familjeve biologjike të fëmijëve që marrin shërbim në këto institucione vijon të mbetet prioritetet dhe një sfidë që duhet adresuar nga aktorët lokal, së bashku me ngritjen e shërbimeve komunitare tejet të rëndësishme për të parandaluar vendosjen e fëmijëve në institucione rezidenciale. 
 
Pjesëmarrësit dhanë ide dhe sygjerime për hapat që duhet të hidhen më tej si në këndvështrimin e parandalimit të vendosjes së fëmijëve në institucione përkujdesi, ashtu edhe garantimin e standarteve të shërbimit përsa kohë këto institucione funksionojnë. Propozimet e tyre do të përfshihen në planet e punës së SHSSH, institucion që do të vijoj të ndërveproj me organizatat me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore të këtij institucioni dhe interesin më të lartë të fëmijëve.