VENDIM
Nr. 758, datë 16.9.2015
PËR NGARKIMIN E MINISTRISË SË MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË PËR KRYERJEN E PROCEDURAVE TË PROKURIMIT PËR PAJISJEN ME DEKODERA TË FAMILJEVE NË NEVOJË, PËRFITUESE NGA SKEMA E NDIHMËS EKONOMIKE, DHE PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2015, MIRATUAR PËR KËTË MINISTRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 10 e 13, të ligjit nr. 160/2014, datë 27.11.2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të nenit 10, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Ngarkimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për kryerjen e procedurave të prokurimit për pajisjen me dekodera të familjeve në nevojë, përfituese nga skema e ndihmës ekonomike.
2. Fondi prej 170 000 000 (njëqind e shtatëdhjetë milionë) lekësh, që do të përdoret për kryerjen e procedurave të prokurimit për vitin2015, të shtohet në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, miratuar për vitin 2015. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë I Këshillit të Ministrave.
3. Pjesa tjetër e fondeve, prej 180 000 000 (njëqind e tetëdhjetë milionë) lekësh të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2016. Ngarkohet Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për planifikimin e fondit të nevojshëm në buxhetin e saj për vitin 2016.
4. Ngarkohet Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, të realizojë shpërndarjen e dekoderave te familjet përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sipas udhëzimit të ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
5. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e qeverisjes vendore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama