Përmbledhje

Raporti “Vlerësimi i Nevojës për Shërbimet Shoqërore” udhëhiqet nga kërkesa për të analizuar informacionin ekzistues dhe të dhënat administrative, që pasqyrojnë shërbimet shoqërore në Shqipëri si edhe përfituesit e tyre, me qëllim vlerësimin e nevojës për këto shërbime, për të orientuar procesin e hartimit të politikave efektive të kujdesit shoqëror në nivel qendror e lokal, e më tej, të politikave të përfshirjes shoqërore.

Ky raport është përgatitur mbi bazën dhe duke përdorur të dhënat e pasura e të larmishme të mbledhura për herë të parë nga Shërbimi Social Shtetëror nëpërmjet burimeve të të dhënave administrative, si edhe në raportimet e zyrave rajonale të ShSSh-së, të cilat mundësuan:

  • Të dhëna mbi shërbimet shoqërore, si edhe shpërndarjen e tyre.
  • Të dhëna mbi grupet përfituese të shërbimeve shoqërore.
  • Të dhëna mbi ofruesit e shërbimeve shoqërore.
  • Të dhëna mbi nevojën për shërbime.

Megjithatë në përputhje me kërkesën e ShSSh-së për një analizë efektive dhe shumë dimensionale, u përdorën dhe u analizuan edhe burime të tjera, si:

  • Analiza e legjislacionit në fuqi.
  • Studime dhe vlerësime të ShSSh-së, UNDP-së si edhe organizatave të tjera, të cilat kanë trajtuar këtë tematikë (sidomos në analizën e informacionit për Bashkitë Tiranë dhe Durrës).
  • Planet sociale të bashkive, në ato bashki në të cilat këto plane janë përgatitur.

Të dhënat dhe informacionet e siguruara nga ShSSh dhe të pasuruara me të dhënat mbi strukturën demografike dhe popullsinë e Shqipërisë sipas bashkive, u përpunuan në përputhje me një kuadër metodologjik të përgatitur për këtë qëllim, i cili mbështetet në analizën e krahasuar dhe të kryqëzuar të informacionit dhe të dhënave administrative, për të vlerësuar nevojën për shërbime shoqërore, sipas tre dimensioneve themelore, përkatësisht:

Dimensioni 1: Oferta e shërbimeve shoqërore.

Dimensioni 2: Kërkesa për shërbime shoqërore.

Dimensioni 3: Shpërndarja e diferencuar e shërbimeve shoqërore.

Analiza e përgjithshme e informacionit ekzistues mbi shërbimet shoqërore në Shqipëri dhe përfituesit e tyre, tregoi qartësisht se shërbimet shoqërore janë zhvilluar, ndërsa cilësia e tyre është përmirësuar. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, Shërbimi Social Shtetëror, si institucioni përgjegjës monitoron me kujdes zbatimin e standardeve të shërbimeve, për të garantuar kujdesin cilësor për qytetarët dhe grupet në nevojë.

Shkarkoni materialet e mëposhtëm:

Studimi i Vlerësimit të Nevojave të Shërbimeve Sociale në nivel kombëtar

Raporti me të dhënat