Sqarim mbi lajmin e pavërtetë të publikuar “Mijëra personave me aftësi të kufizuara nuk u njihet libreza e invaliditetit”

PORTALIT WWW.GAZETADITA.AL

Në vijim të letrës së publikuar në rubrikën “Letër kryeredaktorit” në portalin www.gazetadita.al, SHSSH sqaron lexuesit se:

Shoqata e Personave të Paaftë ka pajisuar një numër personash me aftësi të kufizuar me “Librezë e personave me aftësi të kufizuar”. Pajisja e këtyre personave me këtë librezë nuk ka asnjë referencë ligjore.

Një librezë mund të jepet për dy arsye: për të njohur statusin e anëtarit të një shoqate ose për të përfituar lehtësira në shërbime publike. Lëshimi i librezës si anëtar shoqate është e drejtë e vetë shoqatës. Lëshimi i një libreze me qëllim përfitimin e lehtësive në shërbime publike mund të kryhet vetëm kur parashikohet në legjislacionin përkatës.

Legjislacioni shqiptar nuk parashikon pajisjen me këtë tip libreze as nga Shërbimi Social Shtetëror dhe as nga ndonjë organizatë.  Personat me aftësi të kufizuar të cilësuar si të tillë me vendim KMCAP-i i përfitojnë lehtësirat (pagesën mujore dhe në shërbime të tjera) vetëm në bazë të vendimit të Komisionit, pa u materializuar në formatin e librezës.

Pas ankesave të disa personave me aftësi të kufizuara të pajisur me këtë lloj libreze të cilët pretendonin se mund të përfitonin lehtësira në shërbime publike pasi kështu u ishte thënë nga përfaqësues të shoqatës, SHSSH kërkoi të informohej nga shoqata në lidhje me legjitimitetin e pajisjes me këtë lloj libreze. Edhe pse kërkesa ka dy muaj që është dërguar pranë shoqatës, SHSSH nuk ka marrë ende një përgjigje prej saj.

Për sa kohë legjislacioni në asnjë rast nuk parashikon pajisjen me librezë për përfitimin e lehtësirave, është veprim tërësisht abuziv dhe antiligjor nga ana e shoqatës pajisja e individëve që kanë një vendim KMCAP-i me një librezë të llojit “Librezë e personave me aftësi të kufizuara”.

Shqetësimi i vetëm i SHSSH është rreziku i mashtrimit të personave me aftësi të kufizuar nga kushdo, shoqatë apo individ, dhe kërkesa e saj për shpjegime që ka shqetësuar z. Rrushi vazhdon të jetë pa përgjigje.

SHSSH garanton të gjithë personat me aftësi të kufizuara se do të vazhdoj të zbatoj me forcë ligjin, jo vetëm për të respektuar të drejtat e tyre, por edhe për ti mbrojtur nga çdo lloj forme abuzimi apo mashtrimi!

# # #