Nisur nga rasti i Z. Zef Tuci i publikuar në median e shkruar dhe atë vizive Shërbimi Social Shtetëror duke mirëkuptuar situatën e vështirë social ekonomike të Z. Tuci dhe familjes së tij nëpërmjet këtij reagimi sqaron se:

Z. Tuci është 73 vjeç i lindur me 07.04.1945 dhe jo 52 vjeç siç është pasqyruar në media. Nisur nga mosha e tij zotëria përfiton pension pleqërie në masën 15300 lekë në muaj, dhe jo pension invaliditeti. Z. Tuci është i sëmurë terminal prej më shumë se 5 vite dhe mjekohet nga shërbimi paliativ në Rrëshen.

Duam të informojmë se, Shërbimi Social i Bashkisë Mirditë ka bërë verifikimin në familje dhe duke parë gjendjen e rënduar ekonomike, shëndetësore dhe sociale e ka trajtuar familjen prej 5 anëtarësh të Z. Tuci me ndihmë ekonomike të plotë në masën 5300 lekë në muaj deri në dhjetor të vitit 2017. Aktualisht ka filluar zbatimi i skemës së re të Ndihmës Ekonomike dhe përsëri familja është përfshirë në listë për t’u vlerësuar si përfituese e Ndihmës Ekonomike.

Gjithashtu duam të theksojmë se problemet e strehimit për të cilat paraqiten në media dhe i mirëkuptojmë, janë në kompetencë të Bashkive për t’u adresuar dhe jo të SHSSH.

Pavarësisht se nga SHSSH familja e Z. Tuci ka marrë të gjitha pagesat për aq sa e lejon ligji, duam të theksojmë me shumë mirënjohje ndihmat që donatorë të ndryshëm si Caritas Austriak, Fundjavë Ndryshe, Motrat Vinçeziane etj kanë dhënë për 5 anëtarët e familjes në vazhdimësi si vakte ushqimore, ndihma në mobilje apo elektroshtëpiake.

SHSSH beson se së bashku me bashkitë, median dhe donatorët do të ja dalim t’u shërbejmë sa më shumë familjeve me nevoja të ndryshme në Shqipëri, duke bashkëpunuar me njëri tjetrin për të marrë secila palë përgjegjësitë që na takojnë me ligj.