07 shkurt 2015, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë organizoi një takim publik me përfaqësues të biznesit, bankave, shoqërisë civile  dhe donatorë të tjerë, për të sensibilizuar, vënë në funksion Rrjetin e Solidaritetit. Qëllimi dhe objektivat e takimit u bënë të qarta nga Ministri Veliaj, i cili e konsideroi këtë takim si fillim të mirë të fazës së dytë të Aksionit Kombëtar të mbështetjes së banorëve të zonave të përmbytura në Vlorë, Fier, Gjirokastër dhe Berat.

I pranishëm në këtë takim Kryeministri Edi Rama, pasi evidentoi dëmet e shkaktura nga tërbimi i motit, vuri në dukje nevojën që në këto momente, përveç detyrave dhe angazhimeve konkrete të qeverisë për të shlyer dëmet e shkaktuara, ai e konsideroi me rëndësi zgjerimin e përmasave të solidarizimit human dhe solidaritetit social, si mënyrë për t’u gjëndur pranë njerëzve që kanë pësuar dëme materiale serioze.

Në takim u evidentuan donacionet financiare dhe materiale të premtuara dhe të disbursuara nga shumë biznese, banka dhe fondacione shqiptare. Me shumë vlerë ishte ndihma e biznesit të Kosovës, e cila sot ka sjellë 15 kamionë me ndihma të llojeve të ndryshme. Ndërkaq janë përgatitur paketa ushqimore, veshje dhe produkte të nevojshme që shërbejnë si ushqim për kafshët e rrezikuara nga uria.

Në krye të këtij operacioni të madh solidariteti do të jetë ShSSh, i cili do të organizojë punën për shpërndarjen dhe administrimin korrekt të ndihmave. Në ShSSh është ngritur Shtabi i organizimit të këtij operacioni humanitar. Po kështu edhe në Vlorë, Fier, Gjirokastër dhe Berat.

Të nderuar  miq,

Këto ditë janë me shumë rëndësi për të përballuar pasojat e dëmeve natyrore që sollën përmbytjet e ditëve të fundit në Shqipëri. Është moment kur secili nga ne, çdo shqiptar i ndershëm biznesmen apo qytetar të bëhet pjesë e këtij Rrjeti të Solidaritetit, duke kontribuar sipas mundësive dhe me çfarë të mundet: para, ushqime, veshje, etj. Në çdo bankë të nivelit të dytë janë hapur llogari për “Ndihmë për Zonat e Përmbytura”.  Ndërkaq në Drejtorinë Qëndrore të ShSSh në Tiranë, por edhe në Drejtoritë Rajonale të ShSSh në rrethe mund të dërgohen ndihma me qëllim që ato të orientohen të sigurta drejt zonave të përmbytura dhe në mbështetje të njerëzve në nevojë.