Pas publikimit në emisionin investigative “Fiks-Fare” në Top Channel për Njësinë Lekbibaj në Bashkinë Tropojë për përfitimin abuziv të ndihmës ekonomike, Shërbimi Social Shtetëror ka ngritur menjëherë një grup kontrolli për verifikimin e rasteve të paraqitura në emision për periudhën Janar 2018- Gusht 2019.

Grupi i kontrollit i Drejtorisë Rajonale Kukës po bën kontroll të formularit të aplikimit, deklaratave 3-mujore, borderove të pagesave, dhe vizita në familje që sipas ligjit duhet t’i kryente administratori shoqëror. Gjithashtu grupi i kontrollit do të kryejë verifikime tek Posta për tërheqjen e pagesave nga gratë, dhe tek Zyra e Gjendjes Civile për verifikimin e personave që nuk jetojnë më.

Lidhur me rastet, administratori shoqëror ka gjeneruar deklaratat 3 mujore në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Ndihmës Ekonomike për periudhën e përfitimit për të gjitha familjet, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi në të cilën është e detyrueshme që në deklaratën 3 mujore duhet të paraqiten të gjithë anëtarët madhorë për të firmosur për ndryshimet social-ekonomike. E njëjta procedurë është ndjekur për vizitën në familje për të cilat është shënuar që ka përputhje me aplikimin e bërë, pa ndryshime.

Shërbimi Social Shtetëror duke qenë maksimalisht i interesuar për zbardhjen deri në fund të kësaj ngjarjeje, thekson do të bëjë publike raportin që do të hartojë grupi i kontrollit që aktualisht ndodhet në njesinë administrative Lekbibaj, për të marrë më pas të gjitha masat e nevojshme për përgjegjësit e përfshirë.