Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror  Durrës në bashkëpunim me Bashkinë e Krujës shkuan në familjen Lata menjëherë pasi u informuam për situatën e z. Gjergj Lata, publikuar tek Gazeta Shqiptarja.com, me datë 25 Tetor 2017, me titull “59 vjeçari i sëmurë nga Fushë-Kruja kërkon ndihmë për të marrë KEMP”. Konstatuan se, megjithë situatën e rëndë shëndetësore dhe social-ekonomike, z. Lata nuk është paraqitur asnjëhërë pranë Drejtorisë Rajonale të SHSSH Durrës, apo Njësisë Administrative Fushë Krujë për të aplikuar si për pagesën e ndihmës ekonomike, ashtu edhe pagesën e aftësisë së kufizuar.

Duke qenë se z. Lata nuk mund të trajtohet me pagesë të aftësisë së kufizuar nga Sigurimet Shoqërore, specialisti i SHSSH Durrës dhe administratori i Njësisë Administrative Fushë Krujë kanë orentuar z. Lata për procedurat që duhet të ndjekë për përfitimin e pagesës së ndihmës ekonomike.

Ndërkohë Bashkia Krujë ka marrë përsipër të trajtojë z. Lata me ndihmë ekonomike nga fondet e Bashkisë, deri sa ai të plotësojë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.