Hyrje

Përgjatë gjithë 2014 Shërbimi Social Shtetëror e fokusoi aktivitetin e tij në përmbushjen e tre prioriteteve kryesore:

1. Mbrojtje sociale efektive për familje dhe individë me nevoja të veçanta: Mirëadministrimi i fondeve të ndihmës ekonomike për të mbështetur realisht familjet më të varfëra e mundësuar nga njëra anë përmes shmangieve të abuzimeve me ndihmën ekonomike dhe nga ana tjetër duke ndërvepruar me pjesë të tjera të sistemit të mirëqënies sociale për të nxitur punësimin në vend të ndihmës ekonomike. Aftësia e kufizuar ka qenë gjithashtu pjesë e këtij prioriteti, për të cilën është punuar sa për shmangien e abuzimeve, ashtu dhe për të garantuar pagesa të përmuajshme për të gjithë individët përfitues nga kjo skemë.

2. Fuqizim i familjeve në vend të shërbimit në institucione rezidenciale përkujdesi: Përpjekjet e SHSSH për të përmirësuar apo garantuar cilësinë e standarteve në qendrat e përkujdesit janë shoqëruar me krijimin e modeleve të reja të punës dhe mendësisë që favorizojnë fuqizimin e familjeve si një rrugë për të parandaluar institucionalizimin. Fuqizimi i familjeve ka qene edhe thelbi i nismës për zgjidhjen e problemit të fëmijëve në situatë rruge. Që prej muajit qershor, deri në janar, me përpjekje të përbashkëta ndërinstitucionale dhe të shoqërisë civile, në kryeqytet janë larguar nga situata e rrugës 59 fëmijë dhe vetëm 11 prej tyre janë sistemuar në qendra përkujdesi rezidenciale, të tjerët jetojnë më familjet e tyre, por të mbështetura me shërbime.

 

3. Shërbim proaktiv ndaj grupeve në nevojë: Deri para një viti Shërbimi Social e shihte rolin e tij kundrejt familjeve në nevojë ose përmes pagesës së ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar ose përmes institucionave të përkujdesit. Kemi ngritur një model të ri jo vetëm reagimi të menjëhershëm ndaj rasteve specifike, por edhe të një qasje multisektoriale në zgjidhjen apo mbështetjen e familjeve. Janë 676 raste të familjeve apo individëve që kanë kërkuar mbështetje e që janë menaxhuar në mënyrë të drejtpdrejtë nga Shërbimi Social Shtetëror gjatë vitit 2014. 84% e këtyre rasteve kanë gjetur zgjidhje të qëndrueshme, ndërsa 16% i janë referuar për ndjekje të mëtejshme institucioneve të tjera për shkak të specifikës së tyre. Këtë model na duhet ta shtrijmë në nivelin komunitar, pasi reagimi dhe zgjidhja duhet të jenë sa më pranë familjeve apo individëve në nevojë.

Përmbushja e këtyre prioriteteve ka qenë pjesë e punës së përbashkët e 6 Drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të SHSSH, 12 Drejtorive Rajonale dhe 10 qendrave të përkujdesit që menaxhohen drejtpërdrejtë nga SHSSH.

Kjo Analizë është një përpjekje për të prezantuar gjerësisht çfarë arritëm përgjatë një viti, sfidat me të cilat u ndeshëm dhe problemet që identifikuam përgjatë punës sonë. Është një moment i rëndësishëm reflektimi për të gjitha strukturat e SHSSH për të nisur një tjetër vit pune drejt përmbushjes jo vetëm të detyrimeve ligjore dhe objektivave specifike, por edhe të pritshmërive të rritura të qytetarëve ndaj Shërbimit Social Shtetëror.

Raporti është organizuar mbi bazën e punës së kryer nga gjashtë drejtoritë kyç të Shërbimit Social Shtetëror, duke qenë se secila prej tyre përveç aktivitetit të drejtpërdrejtë drejton dhe koordinon punën e njësive të tjera vartëse të Drejtorisë së Përgjithshme të SHSSH.

Ky Raport nuk prezanton objektivat e 2015-s pasi ato janë konsultuar e përcaktuar gjerësisht në një tjetër dokument të formuluar tashmë Plani i Veprimit 2015.

Në përmbyllje të kësaj hyrje të thjeshtë, përpara se t’ju le me konsultimin e këtij Raporti, do të doja të falenderoja thellësisht të gjithë Drejtuesit e SHSSH në të gjitha nivelet, si dhe punonjësit e saj për gjithshka të mirë që arritën përgjatë këtij viti dhe ti nxis drejt një tjetër viti sfidë për Shërbimin Social Shtetëror që kërkon shumë më tepër angazhim për të ofruar shërbimet më të mira që priten nga ky Institucion.

DREJTOR I PERGJITHSHEM

ETLEVA BISHA

Mund të shkarkoni ==> Raporti vjetor 2014