Tiranë, 15 tetor 2014- Problematika e fëmijëve shqiptarë  të pashoqëruar në vendet e BE-së u diskutua në një tryezë të gjerë organizuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrimin IOM. Sipas të dhënave, fluksi më i madh migrator i fëmijëve të pashoqëruar ishte ai  i viteve 1997 – 2000 kur shumë familje, të frikësuara nga situata, shpesh e rrezikshme për jetën, vendosën të largojnë fëmijët adoleshentë djem  jashtë Shqipërisë. Mbas liberalizimit të vizave, u konstatua përsëri një rritje e numrit të të miturve që shkojnë të pashoqëruar në ato vende ku mendojnë se është më e lehtë të legalizojnë qëndrimin e tyre edhe pasi të kenë mbushur moshën madhore, si në Angli, Francë, Gjermani, etj.

Shërbimi Social Shtetëror është pjesë e rëndësishme e rrjetit të ofruesve të shërbimeve për fëmijë në nivel lokal dhe kombëtar, publike apo private. Ai eshte një nga aktorët në Mekanizmin Kombëtar Anti-Trafik, sikurse është pjesë e Task-Forces së ngritur për problemin e të miturve të pashoqëruar.

Duke folur për punën e SHSSH-së në këtë drejtim, Drejtoresha e Përgjithshme zj Etleva Bisha theksoi domosdoshmërinë e forcimit apo dhe të ngritjes (atje ku mungojnë) të mekanizmave lokalë për të adresuar çështjen komplekse, mbi të gjitha të parandalimit të këtij fenomeni, si dhe të rikthimit të sigurt dhe të mbështetur të fëmijëve pranë familjeve të tyre. “Bashkëpunimin me strukturat e pushtetit vendor  SHSSH e ka konsideruar si një domosdoshmëri për arritjen e qëllimit të përbashkët që është sigurimi i mbrojtjes sociale për fëmijët dhe gjithë komunitetin. Në këtë kuadër po ndërtojmë ura bashkëpunimi të qëndrueshme me të gjithë aktorët.”, -tha zj Bisha.

SHSSH ka firmosur një Urdhër të Përbashkët me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit me qëllim kryesisht koordinimin e proçesit të rikthimit të fëmijëve të pashoqëruar. Në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Shërbimit Social janë trajnuar punonjësit social për cështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve, menaxhimin e rasteve te fëmijëve në nevojë, menaxhimin e rasteve te viktimave të trafikimit dhe të dhunës së familje. Po ashtu, Drejtoritë Rajonale janë përfshirë në informimin e popullatës për detyrimin ligjor të prindërve ndaj fëmijëve dhe penalitetet ndaj prindërve  kur nuk e plotesojnë këtë detyrim, por kërkohet rol i rritur i administratorëve socialë pranë pushtetit lokal, të cilët  kanë kontaktet direkte me familjet.

Shërbimi Social gjatë vitit të fundit ka asistuar gjashtë raste të fëmijëve të pashoqëruar, tre prej te cilëve jane riatdhesuar dhe riintegrimi i tyre ndiqet  në vazhdimesi nga SHSSH dhe shoqata Terre Des Hommes dhe IOM.