Ditën e enjte, datë 29 janar 2015, në ambientet e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë u zhvillua Analiza Vjetore e punës së ShSSh për vitin 2014.

Përgjatë muajit janar të gjitha strukturat e SHSSH u përfshinë në një proces diskutimi dhe reflektimi mbi punën e kryer gjatë 2014 dhe në vijim të tij drejtues dhe punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të ShSSh, drejtorët e Drejtorive Rajonale, drejtuesit e Institucioneve të Përkujdesit Shoqëror prezantuan rezultatet dhe sfidat e ndeshura. Në Analizë morrën pjesë edhe Zv. Ministrja e MMSR znj Bardhylka Kospiri, Sekretarja e Përgjithshme znj Itena Ndroqi, Drejoresha e Politikave Sociale znj. Merita Xhafaj, Këshilltarja e Ministrit znj. Enkeleda Lopari, etj.

Znj. Kospiri falenderoi drejtuesit dhe punonjësit e Shërbimit Social që “përballuan bashkarisht një vit sfidë për këtë shërbim, por edhe një vit me rezultate shumë konkrete në drejtim të përmirësimit të shërbimeve ndaj grupeve vulnerable”. Ajo vlerësoi rezultatet për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale përmes targetimit më të mirë të ndihmës ekonomike për familjet e varfra, pagesat dhe reforma e shërbimeve sociale, menaxhimin efektiv të rasteve të njerëzve në nevojë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit në Institucionet e Përkujdesit Shoqëror për fëmijë, gra, të moshuar, PAK, viktima të dhunës, etj.

“Gjashtë kanë qenë shtyllat kryesore të punës së SHSSH përgjatë 2014: (I) Drejt transformimit të programit të ndihmës ekonomike në një program për riintegrim social; (II) Aftësia e Kufizuar: rrëzojmë barrierat; (III) Përkujdesje sociale me standarte të përmbushura; (IV) Mirëmenxhim i shpenzimeve publike; (V) Partneriteti Social, shteti jo i vetmi actor; (vI shërbim proaktiv ndaj atyre që u shërbejmë”- theksoi znj. Bisha në fjalën e saj duke vijuar me arritjet kryesore të këtij institucioni.

Në një vit:

U garantua zbatimi i ligjit për ndihmën ekonomike. U kryen 344 kontrolle në njësitë vendore dhe për pasojë u larguan nga skema e NE 20.321 familje. Ky proces u shoqëruara me 86 vërejtje me shkrim, 25 largime nga puna, 59 gjoba dhe 16 kallzime për ndjekje penale të punonjësve përgjegjës.

Është forcuar mënyra interactive e lidhjes së NE me mundësitë e punësimit. Fakt përmes bashkëpunimit me Zyrat e Punës në Korçë u larguan nga skema 62 familje, ndërsa në Lezhë 52 gra kanë marrë certifikim për aftësi profesionale të ndryshme.

Megjithë vështirësitë e natyrshme janë shënuar rezultate në procesin e pilotimit të NE në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Në periudhën janar-mars nga kontrrollet në njësitë e qeverisjes vendore u larguan 1mijë persona që përfitonin pagesësn e aftësisë së kufizuar në kundërshtim me ligjin me efekt financiar prej 48.627. 540 lekë.

Që prej prillit Task forcat e ngritura në 12 qarqet e vendit kanë kontrolluar 312 njësi vendore ose 45.539 dosje të PAK dhe 20% e tyre kanë kaluar për rikomisionim në KMCAP Epror ose Rajonal.

Janë rikthyer në familjen e tyre biologjike 107 fëmijë, janë realizuar 67 birësime. Krahasuar me 2013 në vitin 2014 janë larguar nga institucionet rezidencaile gati 20% e fëmijëve.

Janë larguar nga situata e rrugës 59 fëmijë, 11 prej të cilëve u sistemuan në Institucionet e Përkujdesit

Gjatë viti 2014 janë realizuar 33 monitorime, 23 në institucionet publike dhe 10 në institucionet jopublike, me qëllim vlerësimin e standardeve të shërbimeve ndaj përfituesve. Në të gjitha rastet, kur ka patur, është bërë monitorimi i rekomandimeve të lëna nga Inspektoriati Shtetëror të Punës e Shërbimeve Sociale si dhe nga Avokati i Popullit.

ShSSh gjatë vitit ka menaxhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë 676 familje dhe individë në nevojë, 84% e tyre janë zgjidhur dhe 14% i janë referuar pushtetit vendor për ndjekje e zgjidhje.

Përmirësime të dukshme në shërbimin në Qëndrat e Zhvillimit dhe Shtëpitë e të Moshuarve.

Shërbime të orientuara më drejt në Qëndrën Kombëtare të Viktimave të Dhunës në Familje. Janë trajtuar dhe kanë përfituar shërbime 84 persona nga të cilët 29 gra dhe 55 fëmijë.

Gjatë vitit është synuar rritja e kapaciteteve. 14 trainime nga të cilat kanë përfituar 170 punonjës të IPSH dhe Drejtoritë Rajonale

Buxhetim shumë më i mirë i programit të mbrojtjes sociale dhe përkujdesit. Krahasuar me vitin 2013 fondet e akorduara gjatë vitin 2014 për ndihmën ekonomike të kenë një rritje prej 27 %, ndërsa për fondet e PAK kemi një rritje praj 22 %.

Komunikim shumë më efektiv me median dhe publikun: 103 raste problematikash sociale të trajtuara mediatikisht, përgjigje ndaj cdo ankese të cdo qytetari brenda afateve ligjore.

Transparencë maksimale për aktivitetin e SHSSH: 12 buletine donancionesh, 12 buletine informative dhe prezencë mediatike sa herë është kërkuar prej gazetarëve.

Gjatë analizës drejtuesit e SHSSH prezantuan gjerësisht arritjet, sfidat problemet e ndeshuara sipas fushës që ata mbulojnë.

Në përfundim të analizës u prezantua Plani i Veprimit të 2015-tës për të gjithë strukturën e SHSSH për të përmbushur objektivat:

(I)    Mbrojtja sociale efektive për familjet në nevojë;

(II)   Përmbushja e standarteve të shërbimit në IPSH;

(III)  Thellimi procesit të deinstitucionalizimit;

(IV)  Shërbim proaktiv ndaj qytetarëve;

(V)   Mirëmenaxhimi financiar i aktivitetit të ShSSh;

(VI)  Forcim i urave të komunikimit me median dhe qytetarët. Partneritete të qëndrueshme me donatorët dhe shoqërinë civile.