Tiranë, 4 prill 2014- Shërbimi Social Shtetëror shpalosi dje strategjinë dhe vizionin e vet për t’u siguruar fëmijëve që strehohen në Institucionet e Përkujdesit të drejtën e të jetuarit në një mjedis familjar sa më shpejt të jetë e mundur. E pranishme në mbledhjen e grupit të punës për nenin 5 (të Kodit të Familjes që sanksionon këtë të drejtë) Drejtoresha e Përgjithshme e SHSSH-së, zj Etleva Bisha tha se moto-ja « të mos ngremë institucione, por të ofrojme shërbime » është në bazë të procesit të deinstitucionalizimit të fëmijëve.

« Vizioni ynë për deinstitucionalizimin është transformimi i shërbimeve rezidenciale në  shërbime me fokus fëmijën dhe familjen.  Për ne, deinstitucionalizim nuk do të thotë kthim mekanik i fëmijëve jetim social në familjet e origjinës, por ofrim shërbimesh për rritjen e kapaciteteve social- ekonomike të familjeve të origjinës në nivelin e marrjes së përgjegjësisë për mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijës.”, -nënvizoi zj Bisha.

Më pas, ajo ndau me të pranishmit një panoramë të gjerë të shifrash dhe faktesh, të cilat diktojnë nevojën e ndryshimeve rrënjësore në qasjen ndaj institucionalizimit të fëmijëve. Kështu, vitet e fundit numri i fëmijëve të braktisur në maternitet është rritur: vetëm për vitin 2013 numërohen  41 fëmijë të braktisur, ndërsa fëmijë “jetim social” të sistemuar në institucionet e përkujdesit  për vitin 2013 janë rreth 80.

Zj Bisha informoi mbi masat konkrete që SHSSH ka marrë masa për kthimin sa më të shpejtë e të sigurt të fëmijëve në familjen biologjike, si psh zbatimi i shërbimit të kujdestarisë së përkohshme, kryesisht për fëmijët jetim social, ofrimi i shërbimeve të integruara, dhënia e shërbimeve në komunitet dhe në familje, etj.

SHSSH ka marrë masa për trajnimin dhe kualifikimin e të gjithë punonjësve social të institucioneve rezidenciale dhe të Drejtorive  Rajonale që punojnë me raste konkrete në terren, në mënyrë që vendimet që merren për institucionalizimin e fëmijëve të jenë të bazuar në një vlerësim profesional dhe të kujdesshëm, bashkë me një plan të qartë për ta lënë sa më shpejt institucionin në këmbim të një mjedisi familjar, biologjik ose birësues.

“Shumë më tepër duhet të bëhet për të sensibilizuar edhe familjet, si edhe të gjithë aktorët e komunitetit. Duke patur në qendër të shërbimit fëmijën dhe forcimin e familjes së tij, vleresojmë të rëndësishëm partneritetin lokal për realizimin e një programi ndërsektorial: arsim, shëndetësi, strehim, zhvillimin e aktiviteteve social- kulturore dhe sportive, krijimin e lehtësirave për lëvizjen në interes të grupeve të rrezikuara nga diskriminimi dhe përjashtimi social „- përfundoi zj Bisha.

Në Shqipëri ekzistojnë 8 institucione rezidenciale publike për fëmijët e privuar nga kujdesi prindëror, të cilat u shërbejnë tre grupmoshave të ndryshme: 0 – 3; 3 – 6 dhe 6 – 15 vjeç.