53 familje rome po trajtohen me mjekë e psikologë prej afro 3 muajsh në Qendrën Tranzitore të Emergjencave. Fëmijët po ndjekin shkollat e zonës, burrat janë vetëpunësuar në riciklimin e mbetjeve urbane, ndërsa gratë janë futur në disa kurse profesionale. Këto familje u bënë lajm kryesor për shumë ditë në fillim të vjeshtës, sepse jetuan në qiell të hapur në trotuarët e Unazës së Re, pasi një firmë ndërtimi i largoi nga një fushë me cadra për të ngritur pallate. Vuajtjet e tyre e shtynë qeverinë e re që të ngrinte për herë të parë në fund të shtatorit Qendrën e Emergjencave në mjediset e një reparti ushtarak në periferinë lindore të kryeqytetit.

Pasi kanë zgjidhur problemin e strehimit,  romët e Qendrës së Emergjencave kanë hedhur shikimin te nevoja të tjera si punësimi dhe shkollimi. Shërbimi Social Shtetëror kujdeset në qendrën tranzitore me mjekime, psikologë e punonjës socialë, që të plotësojë kërkesat e këtyre familjeve të reja dhe me shumë fëmijë.

Familjet rome janë regjistruar në gjendjen civile, janë pajisur me dokumenta të të gjitha llojeve për mbrojtje dhe strehim social, kanë marrë rregullisht paketa ushqimore, veshmbathje, pajisje kuzhine dhe hidrosanitare. Bëhet fjalë për 53 familje me afro 220 pjestarë. Romët kërkojnë që edhe bashkia të përfshihet më shumë në zbutjen e halleve të tyre.

Qendra Tranzitore e Emergjencave e ka si sfidë të radhës shkollimin e romëve dhe integrimin e tyre në lagjet e kryeqytetit.

(Marrë me shkurtime nga Zëri I Amerikës. Për të parë kronikën e plotë, lutem klikoni në

http://www.zeriamerikes.com/content/familjet-rome-qendra-tranzitore/1830764.html)