Në vijim të rastit të publikuar në emisionin STOP mbi familjen Dodaj sqarojmë se:

Fëmija J.D e familjes Doda (pjesë e kronikës) është përfitues i pagesave të aftësisë së kufizuar dhe konkretisht përfiton: 11.390 lekë pagesë verbërie, 26.030lekë status tetra-plegjik dhe 10530 lekë pagesë për familjarin që kujdeset për të. Në total çdo muaj për fëmijën familja Doda përfiton nga fondet e buxhetit qëndror 47.950 lekë (pra rreth 480 mijë lekë të vjetra në muaj).

Në lidhje me aplikimin e familjes Doda për përfitimin e ndihmës ekonomike sqarojmë se nga sistemi elektronik i ndihmës ekonomike rezulton se kryefamiljari ka aplikuar dy herë në sistem:

Aplikimi i parë në dhjetor 2015 dhe familja ka rezultuar përfituese e ndihmës ekonomike.

Në janar 2016 familja është refuzuar nga sistemi për shkak të mos deklarimit të automjetit. Sqarojmë se gjatë procesit të aplikimit administratori shoqëror sqaron aplikuesin që në rast të mos deklarimit të plotë, sistemi e skualifikon automatikisht nga mundësia e përfitimit të ndihmës pasi konsiderohet deklarim i rremë. Pas janarit 2016 familja nuk ka aplikuar më për përfitimin e ndihmës ekonomike.