Ne konferencën e organizuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me UNDP mbi adresimin e dhunës në familje, Drejtoresha e Përgjithshme e SHSSH znj. Etleva Bisha prezantoi arritjet dhe sfidat e Qendrës Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje. Ne fjalen e saj znj. Bisha theksoi:
 
240 gra dhë fëmijë(specifikisht 94 gra dhe 146 fëmijë të tyre) janë pritur e mbështetur me shërbime që prej vitit 2011 në këtë Qendër. Qendra u konceptua dhe funksionon në shërbim të viktimave të dhunës në familje duke ofruar për to strehë, shërbim psiko-social, mjeksor, ligjor, reabilitues por edhe riintegrues . Stafi i qendrës është trainuar vazhdimisht edhe në sajë të partneritetit me organizata ndërkombëtare e lokale, duke synuar rritjen në vijim të standarteve të shërbimit të saj. 
 
Dy vitet e fundit kanë qenë të rëndësishme jo thjesht në këndvështrimin e shërbimit të menjëhershëm, por edhe të shërbimeve riintegruese të viktimave të dhunës në familje. Përmes ndërveprimit të intensfiikuar me aktorë shtetëror publik e jopublik 40% e grave që kanë marrë shërbim në këtë Qendër ia kanë dalë të punësohen, një element i rëndësishëm ky për fuqizimin ekonomik të tyre dhe daljen nga cikli i dhunës. Për herë të parë gjatë 2015 ka nisur monitorimi i cilësisë së jetës së përfitueseve të qendrës pas daljes së tyre prej saj, si një garanci për reabilitim të qëndrueshëm.  Qendra ka arritur që 11 gra të mbështeten me shërbimin e strehimit përmes pagesës së qerasë në sajë të partneritetit me organizata jofitimprurëse. Qendra që administrohet nga SHSSH ka një buxhet të trefishuar krahasuar me 2012 dhe përmirësimet ligjore për përfitimin e ndihmës ekonomike edhe gjatë kohës së qëndrimit në Qendër kanë qenë një tjetër mundësi e shtuar për të mbështetur punën e stafit dhe përpjekjet për rintegrim të vetë viktimave të dhunës.
 
Sfidat e qendrës janë në fakt sfida të vetë sistemit të shërbimeve sociale në Shqipëri: nevojë për të ngritur shërbime komunitare që jo vetëm parandalojnë, por edhe adresojnë nevojat e viktimave të dhunës atje ku ato jetojnë.