Nisi me 26 Tetor 2015, pranë shtëpisë së fëmijës Zyber Hallulli kursi i dytë i programit të formimit të vazhduar mbi “Çështje të mbrojtjes së fëmijëve” .
30 profesionistë ndër të cilët punonjës të mbrojtjes së fëmijëve, punonjës social të shërbimit social shtetëror, punonjës të institucioneve rezidenciale, psikologë shkollorë e profesionistë të institucioneve të tjera publike/jo publike që ofrojnë shërbime për mirëqënien dhe mbrojtjen e fëmijëve do të mund të marrin njohuri dhe do të zhvillojnë aftësi të ndryshmë në lidhje me çështje të mbrojtjes së fëmijëve.
Programi i formimit të vazhduar është një paketë me 11 module trajnimi, të shpërndara në 22 ditë trajnimi, të cilat i përgjigjen nevojave për aftësi dhe njohuri bazë të punonjësve të mbrojtjes apo shërbimeve për mirëqënien e fëmijëve. Materialet e përfshira në modul janë një përzierje e informacionit teorik bazë lidhur me çdo temë, dhe zhvillimit të shprehive praktike të cilat do të trajtohen nga trajnues/pedagogë të Universitetit të Tiranës.
Ky program është lancuar për herë të parë në Dhjetor të 2013 si program i trajnimit përgjatë punës, si rezultat i përpjekjeve shumë të mira të bashkëpunimit midis organizatave të ndryshme të përkushtuara ndaj mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri: World Vision, Terre des Hommes, Save the Children, UNICEF, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Shërbimi Social Shtetëror dhe Universiteti i Tiranës.
Fillimi i kursit u përshëndet nga Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror znj. Etleva Bisha dhe Prof.Dr Edmond Dragoti, drejtues i departamentit të punës dhe politikave sociale në Fakultetin e Shkencave Sociale.