

Tiranë, 15 maj- Me rastin e Ditës Botërore të Familjes, Shërbimi Social Shtetëror ndërmori një fushatë të gjerë sensibilizimi dhe informimi për rolin dhe vlerat e familjes në shoqërinë shqiptare. Fushata përfshiu të gjitha qytetet e Shqipërisë ku ShSSH ka Drejtoritë Rajonale. Ekspozita fotografike me të rinjtë, konkurse vizatimesh me fëmijët, biseda, debate, ese, teatër rruge, seminare e konferenca si dhe panaire të OJF-ve janë disa nga aktivitetetet që u zhvilluan në Lezhë, Kukës, Berat, Fier, Vlorë, Elbasan, Gjirokastër, Durrës, Shkodër e Tiranë.
“Qëllimi i kësaj fushate, siç thotë edhe slogani i zgjedhur, është kthimi i vëmendjes tek vlerat dhe roli i familjes. Fuqizimi i familjes është një strategji kyçe që SHSH po e ndjek në punën e vet për të ofruar mbrojtje sociale për individët në nevojë, qofshin këta fëmijë, të moshuar apo persona me aftësi të kufizuar. Duam të falenderojmë të gjithë partnerët që na u bashkuan në këtë nismë dhe jemi të bindur se të gjithë bashkë mund t’ia dalim.”, tha zj Etleva Bisha Drejtore e Pergjithshme e Shërbimit Social Shtetëror.
Me mbështetjen bujare të UNICEF-it, u përgatit një spot televiziv i cili po transmetohet në televizionin publik dhe në linjat urbane të kryeqytetit, ndërsa u përgatitën 10 postera me vizatimet e fëmijëve më tëm “Kjo është familja ime”. Fuqizimi i familjes është një nga përparësitë e punës në SHSSH dhe kjo duket në rritjen e numrit të shërbimeve pranë familjes dhe komunitare në krahasim me shërbimet rezidenciale të gjitha rastet e menaxhuara prej tij që shkojnë në 319 për periudhën tetor 2013-prill 2014.
Shërbimi Social Shtetëror është institucion në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë që ka për mision zbatimin e politikave dhe legjislacionin në fushën e shërbimeve shoqërore. Detyrë funksionale e Shërbimit është planifikimi dhe monitorimi i pagesave të ndihmës sociale për familjet e varfra dhe personat me aftësi të kufizuar si dhe shërbimet rezidenciale publike për jetimët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar, viktimat e dhunës në familjes dhe të trafikimit. Gjithsej janë 28 institucione publike të kujdesit social në Shqipëri që financohen nga Shërbimi Social Shtetëror, 11 nga të cilët menaxhohen drejtpërdrejt nga SHSSH, ndërsa të tjerat janë në varësi të pushtetit lokal.
Për të parë mesazhin televiziv për Ditën e familjes, klikoni këtu
————————————-
Dita Ndërkombëtare e Familjeve festohet cdo vit në 15 maj. KJo ditë u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1993 me rezolutën A/RES/47/237 dhe reflekton rëndësinë që komuniteti ndërkombëtar I jep familjeve. Dita Ndërkombëtare është një mundësi për të nxitur ndërgjegjësim rreth çështjeve që lidhen me familjen dhe për të shtuar njohuritë për proceset sociale, ekonomike dhe demografike që ndikojnë ato.