Fushate sensibilizimi

 

Shërbimi Social Shtetëror në bashkëpunim me Klinikën Stomatologjike Universitare dhe Fakultetin e Mjekësisë Dentare, organizuan një aktivitet sensibilizues tek Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”. Ky aktivitet u organizua në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit Oral, e vendosur nga Federata Dentare Botërore, dhe organizohet çdo vit në 20 Mars.

Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin, si dhe të tregojë rëndësinë e madhe që ka shëndeti oral në shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien. Higjiena e mirë e gojës është shumë e rëndësishme sepse favorizon një shëndet të mire.

Drejtoresha e Përgjithshme e SHSSH, Luneda Sufali, e pranishme në aktivitet, duke falenderuar bashkëpunëtorët për aktivitetin e organizuar theksoi se: “Fëmijët e Shtëpisë “Zyber Hallulli” por edhe të gjithë përfituesit në Institucionet e Përkujdesit Shoqëror në varësi të SHSSH kanë nevojë për përkujdesje në çdo ditë të vitit, dhe jo vetëm në ditë të shënuara botërore. Përkujdesi social dhe shëndetësor ndaj shtresave më në nevojë nuk do të mungojë në asnjë ditë vitit dhe Shërbimi Social Shtetëror do të bashkëpunojë çdo institucion, organizatë apo grupe qytetare për t’u shërbyer me përkushtim cilësi. Ndaj bashkëpunime të tilla janë të mirëpritura në vazhdimësi”.

Në këtë aktivitet fillimisht, fëmijëve iu shpjegua rëndësia e shëndetit oral, që u krye nga studentët e vitit të pestë të FMD bashkë me mjekët e klinikës, dhe më pas u zhvilluan demonstrime mbi mënyrat korrekte të larjes së dhëmbeve (në mulazhe), të mbajtjes së higjenës dentare etj, në kuadrin e të cilave u shpërndanë furça dhe pasta dhëmbësh.

Për fëmijët është parashikuar dhe vizitë pranë Klinikës Stomatologjike Universitare me qëllim mirëmbajtjen e higjenës së gojës. Ky shërbim ofrohet falas për të gjithë fëmijët dhe familjet në nevojë, me qëllim për t’u kujdesur për shëndetin oral të të gjitha familjeve që nuk kanë mundësi ekonomike për të shkuar tek dentisti.

Të tilla aktivitete sensibilizuese, dhe shërbime falas në klinikë të përfituesve të IPSH-ve apo familjeve në nevojë do të organizohen në vazhdimësi falë bashkëpunimit me Klinikën Stomatologjike Universitare, Fakultetin e Mjekësisë Dentare dhe partnerë të tjerë.