Tiranë, 27 mars- Në përfundim të kontrollit të kryer për vitin 2013, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror ka dorëzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier  kallëzimin penal për shpërdorimet me ndihmën ekonomike në komunën Remas të këtij qarku.

Shkeljet në komunën Remas konsistojnë në:

- 146 familje ose 100 % e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, e kanë përfituar atë përgjatë gjithë vitit 2013 në kundërshtim me ligjin nr.9355 datë 10/03/2005, “Për ndihmën dhe Shërbimet Shoqërore “ VKM Nr.787, datë 14.12.2005 “Për përcaktimin e kritereve të proçedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike ”, dhe Udhëzimit Nr.338/3 datë 10.03.2006, duke shkaktuar një dëm ekonomik shtetit në shumën 4,783,300 lekë.

-  Administratori Shoqëror nuk ka hartuar listat e përfituesve të ndihmës ekonomike në fillim të periudhës Janar 2013, as gjatë vitit për familjet që kanë hyrë për herë të parë në skemën e ndihmës ekonomike, mbi gjendjen e anëtarëve të familjes në moshë pune, që kërkojnë ndihmë ekonomike, si dhe nuk ka dërguar listat për konfirmim pranë institucioneve, si Zyra e Punës për anëtarët e  familjes në moshë pune, si punëkërkues, nga Zyra e Tatim Taksave, Zyra e Sigurimeve Shoqërore, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra e Regjistrimit të Automjeteve, në shkelje të VKM nr.787 datë 14.12.2005 “Për përcaktimin e kritereve të procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike”, datë 14.12.2005, kapitulli i II-të, pika 14 dhe Udhëzimit Nr.338/3 datë 10.03.2006.

Veprimet e mësipërme ngarkojnë me përgjegjësi administratorin e ndihmës ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar të komunës Rremas, për të cilin është depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Fier nga Drejtoria e Përgjithshme e SHSSH-së.

Me këtë denoncim, shkon në 10 (dhjetë)  numri i rasteve që SHSSH ka denoncuar në Prokurori që nga tetori i vitit 2013.

Shërbimi Social Shtetëror vazhdon kontrollet e skemës së ndihmës ekonomike dhe pagesave të aftësisë së kufizuar në të gjithë vendin.