Tiranë, 28 maj 2014- Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror në Dibër ka denoncuar në Prokurorinë e Rrethit Dibër Kryetarin e Këshillit të Komunës Fushë-Cidhen, 14 anëtarët e Këshillit dhe Kryetarin e Komunës me motivacionin e shpërdorimit të detyrës.

Pas kontrollit të ushtruar në muajin shkurt 2014 në lidhje me akordimin e ndihmës ekonomike, u konstatua se Këshilli i Komunës Fushë-Çidhen, ka përdorur fondin e ndihmës ekonomike të buxhetit të shtetit në vlerën 3 630 000 lekë për detyrime të tjera (për ndërtimin e ujësjellësit të fshatrave Laces dhe Bllicë) dhe jo sipas destinacionit të përcaktuar, në shkelje të ligjit nr.9355 date 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, neni 20, pika 1, neni 29, pika 1, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.787, datë 14.12.2005 “Për përcaktimin e kritereve, të proçedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike”, pika 36, dhe Udhëzimit nr.338/3 datë 10.3.2006, kreu XI, pika 15, duke cënuar interesat e ligjshme të shtetasve. Këshilli i Komunës Fushë-Çidhen ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe e ka përdorur fondin e ndihmës ekonomike të buxhetit të shtetit për detyrime të tjera. Nga ky veprim, 472 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike në këtë komunë, nuk kanë marrë pagesën për muajt prill, maj dhe gusht të vitit 2013.

Veprimet e mësipërme ngarkojne me përgjegjësi Kryetarin dhe anëtarët e Këshillit të Komunës Fushë-Çidhen dhe Kryetarin e Komunës për të cilët është depozituar kallëzim penal në Prokurori nga Drejtoria Rajonale e SHSSH-së.

Shërbimi Social Shtetëror vazhdon kontrollet e skemës së ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar në të gjithë vendin.