Tiranë, 30 mars- Në përfundim të kontrollit të kryer për muajin janar 2014, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror në Shkodër ka dorëzuar në prokurori dosjen e shpërdorimeve me ndihmën ekonomike dhe pagesat e aftësisë së kufizuar në komunën Gruemirë. Veprimet e mësipërme ngarkojnë me përgjegjësi administratoren e ndihmës ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar në këtë komunë.

Shkeljet në komunën Gruemirë konsistojnë në:

- 150 familje ose 100% e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike e kanë përfituar ndihmën në vitin 2013 në shkelje të VKM nr.787 datë 14.12.2005 “Për përcaktimin e kritereve të procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike”, dhe Udhëzimit Nr.338/3 datë 10.03.2006, duke shkaktuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 5 196 000 lekë për vitin 2013.

- 52 persona me aftësi të kufizuar kanë përfituar pagesë me mungesa të dokumentave ligjorë, në kundërshtim me V.K.M. nr.618 datë 7.9.2006″ Për përcaktimin e kritereve,të dokumentacionit dhe masës së përfitimit të pagesës për personat me aftësi të kufizuar ”.

- 17 persona para dhe tetraplegjikë kanë përfituar pagesë me mungesa të dokumentave ligjorë, në kundërshtim me V.K.M. nr.618 datë 7.9.2006″ Për përcaktimin e kritereve,të dokumentacionit dhe masës së përfitimit të pagesës për personat me aftësi të kufizuar ”.

- 34 invalidë pune kanë përfituar pagesë me mungesa të dokumentave ligjorë, në kundërshtim me V.K.M. nr.204 datë 16.04.2004 “Për masën dhe kriteret për përfitim paaftësisë nga personat me statusin e invalidit të punës” dhe udhëzimit nr.1406, datë 30.7.2008

Ky është denoncimi i 11-të në Prokurori i Shërbimit Social Shtetëror për abuzimet me ndihmën ekonomike dhe pagesat e aftësisë së kufizuar që prej tetorit 2013.

Shërbimi Social Shtetëror vazhdon kontrollet e skemës së ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar në të gjithë vendin.