DEKLARATË PËR SHTYP

 

Tiranë, 1 tetor 2014- Shërbimi Social Shtetëror dëshiron të informojë opinionin publik, nisur edhe nga rasti i fundit I publikuar në media,  se Statusi i Jetimit jepet në përputhje me ligjin nr. 8153, datë 31.10.1996 “Për statusin e jetimit”.

SHSSH është i vetmi autoritet që jep statusin e jetimit. Çdo lloj dokumenti i lëshuar nga çfarëdolloj organizate e që pretendon dhënien e statusit të jetimit për individë është i paligjshëm dhe i pavlefshëm!

Gjejmë rastin të sqarojmë se:

Aplikimi për të marrë statusin e jetimit bëhet nga vetë individët e interesuar. Dokumentacioni përgatitet pranë njësisë së qeverisjes vendore dhe vjen zyrtarisht nga njësia vendore ose Drejtoria Rajonale e SHSSH në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social.

Statusi i jetimit jepet nga Komisioni pranë Shërbimit Social Shtetëror i ngritur mbi bazë të VKM nr.233, datë 10.4.1998 “Për zbatimin e ligjit Për statusin e jetimit”, i cili vlerëson dokumentacionin e paraqitur dhe jep vendim për dhënien ose jo të statusit individit aplikues.

Mbi bazën e  vendimit të Komisionit, Shërbimi Social Shtetëror pajis personat që marrin statusin e jetimit me një dokument zyrtar (me logon dhe vulën e Shërbimit Social Shtetëror). Ky është i vetmi dokument që provon se individi është përfitues I  statusit të jetimit.

Mbi bazën e këtij dokumenti zyrtar personat me status jetimi përfitojnë lehtësirat që u njeh ligji për shkak të statusit që kanë.

Me këtë rast, ftojmë qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve dhe të ndjekin precedurën e përcaktuar me ligj që njeh Shërbimin Social Shtetëror si të vetmin autoritet  që jep statusin e jetimit. Çdo lloj dokumenti i lëshuar nga çfarëdolloj organizate e që pretendon dhënien e statusit të jetimit për individë është i paligjshëm dhe i pavlefshëm!