Tiranë, 1 tetor- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, institucionet e përkujdesit social në varësi të Shërbimit Social Shtetëror organizuan aktivitete të larmishme. Nën moton “Bashkë” Shtëpitë e të Moshuarve dhe Qendrat Ditore që ofrojnë shërbime për moshën e tretë mblodhën dhjetëra qytetarë, fëmijë e të rinj, artistë e sipërmarrës për të kujtuar me ta kontributin dhe sfidat me të cilat përballet kjo kategori.

“Natyrisht, do të ishte më mirë që në këtë ditë të ishit në shtëpi me familjet tuaja, por në kushtet kur ju keni bërë këtë zgjedhje, detyra jonë është që të sigurohemi që standartet e shërbimeve në qendrat e përkujdesit janë në lartësinë e duhur, -tha zvdrejtoresha e përgjithshme e SHSSH zj Lida Leskaj. “Pleqëria e shëndetshme është në themel të politikave tona për mirëqënien sociale dhe të gjithë aktorët duke filluar nga individi, pushteti lokal dhe qeveria duhet të punojnë së bashku për këtë qëllim.”

Në Shtëpinë e të Moshuarve në Tirane ishin mysafirë Artistja e Popullit Margarita Xhepa, aktorët e nderuar Ndriçim Xhepa e Edmond Budina, fëmijët dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve dhe Kryqi e Kuq. Në Shkodër, të moshuarit dhe fëmijët rom, përfitues respektivisht te projekteve te MMSR prane Shtepise se te Moshuarve dhe Shtepise se Femijes Parashkollor, kaluan nje dite ndryshe duke shkembyer eksperiencen dhe energjine qe karakterizon secilin grup. Në Qendrën Polivalente Ditore ne Kamëz, ku marrin shërbim 30 persona në ditë, ishin të ftuar fëmijët e Shtepise “Zyber Hallulli” dhe të rinjtë e Shkollës Profesionale Kamëz, ndërsa gratë e Strehës Kombëtare për Viktimat e Dhunës në familje gatuan drekën për ta.

Në qendrën polivalente për të moshuarit në Poliçan, Drejtoria Rajonale e Qarkut Berat në bashkëpunim me vullnetarët e Shërbimit Social, shkollen e mesme “B.D.Karbunara” dhe bizneseve vendase dhuruan buzëqeshje, përqafime, biseda, këngë në një drekë familjare me të moshuarit.
Në Durrës, të rinjtë e grupit vullnetar e çelën fushatën “Ditët e Vlerave” me një shërbim në Qendrën Ditore për të moshuarit.Edhe në Gjirokastër, institucionet e MMRS u uruan të moshuarve Ditën e tyre në Qendrën Ditore të hapur para pak kohësh.

Aktualisht ka filluar zbatimi i projektit me fonde të qeverisë italiane për ridimensionimin e Shtëpive të të Moshuarve.