Në Gazetën “Shqiptarja.com” është publikuar lajmi: “Apeli i 75-vjeçarit për Report Tv: Jam rrugëve, dua të shkoj në azil – Motra: Nuk kujdesem dot pasi jam e sëmur.”

 Sqarojmë se:

Kërkesa e të moshuarit Mehmet Osmani është shqyrtuar nga Komisioni Qëndror për Vlerësimin e nevojave të personave të moshuar në SHSSH në Mbledhjen e tij të datës 30 Dhjetor 2016. Komisioni ka vendosur pranimin e kërkesës dhe akomodimin e tij në Shtëpinë e të Moshuarve Kavajë.

 

Në mbledhjen e Komisionit të datës 30 dhjetor 2016 kapacitete të lira ka pasur vetëm në dy Shtëpi: Gjirokastër dhe Kavajë.

 

Edhe pse në kërkesën e tij Z. Osmani sqaronte nevojën emergjente për tu sistemuar në qendër përkujdesi për të moshuar për shkak të mungesës së strehimit, nga verifikimet tona rezulton që edhe pse është njoftuar për vendimin e komisionit ai nuk është paraqitur deri më sot në Shtëpinë e të Moshuarve Kavajë.

 

Sqarojmë gjiathashtu se Komisioni Qendror për Vlerësimin e nevojave të personave të moshuar mblidhet çdo muaj dhe vlerëson mbi bazën e:

  • kërkesave të ardhura gjatë muajit,
  • kritereve të përcaktuara në VKM 425 datë 27.6.2012 (i ndryshuar me VKM 839, datë 3.12.2014) “Për përcaktimin e kritereve dhe dokumentacionti të nevojshëm për pranimin e personave në institucionet rezidenciale publike dhe private të përkudjesit shoqëror”,
  • kapaciteteve të lira në momentin e mbledhjes së komisionit në 6 Shtëpitë e të Moshuarve që financohen nga buxheti i shtetit.