dr-ok

 

Më 28 Nëntor 2017 në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” është përkujtuar 100 Vjetori i çeljes së “Strehës së parë Vorfnore” nën një atmosferë festive mes ish banorëve të Shtëpisë, pasardhës të Zyber Hallullit, miq të institucionit, përfaqësues të institucioneve shtëtërore dhe fetare. E pranishme në takim ishte Ministrja e MSHMS, Znj. Ogerta Manastirliu dhe Drejtoresha e Përgjithshme e SHSSH, Znj. Luneda Sufali.

Duke shprehur mirënjohje dhe respekt  për stafet e kujdestarëve, edukatorëve, specialistëve që punojnë dhe kanë punuar për edukimin e këtyre fëmijëve Znj. Sufali theksoi gjithashtu 1 shekull nuk është shumë, por nuk është edhe pak për të bërë bilancin historik të këtij institucioni. Në kushte dhe rrethana të ndryshme Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli” ia ka dalë të qëndrojë një nga institucionet më me autoritet publik për të mbështetur vazhdimisht me përkushtim profesional breza të tërë fëmijësh në nevojë pa dallim besimi dhe krahine”

Ajo theksoi se zgjidhja përfundimtare për fëmijët nuk duhet të jenë insitucionet, por familja. Këtë e theksoi kur u shpreh se: Besimi ynë është që krahas rritjes dhe përmirësimit të standarteve të përkujdesjes në qendrat rezidenciale, të punojmë në të njëjtën kohë për fuqizimin e familjeve. Trajtimi rezidencial sado i mirë dhe me standarte që të ofrohet, nuk është rruga më e mirë për rritjen, edukimin dhe integrimin social të fëmijëve”

Në fund të fjalës së saj, Drejtoresha e Përgjithshme e SHSSH falenderoi Ministren e MSHSSH, znj, Manastirliu për mbështetjen që i jep SHSSH dhe Institucioneve të Përkujdesit social dhe theksoi se koha ka vërtetuar që tradita e kujdesit në këtë shtëpi është konsoliduar, përvojat janë bërë intensive dhe kapacitetet e shërbimit të përkujdesjes janë në rritje.  Këto janë garanci që Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli” do të vazhdojë të jetë histori suksesi edhe për 100 vitet e ardhshme.